KURTOVIC

BOROZANI/Lis Dorambari/Arkiv
Mungoi ritmi
15 January, 2015 @10:53
Peja, që nisi vitin me humbje në Balkan League, duke u mposhtur nga Teodo mbrëmë 78-71 në Tivat të Malit të Zi, duhet ta gjejë ritmin.
Kështu së paku ka thënë trajneri i kësaj skuadre, kroati Boris Kurtovic, pas ndeshjes.
“Së pari ia uroj Teodos fitoren e merituar. Ne ia nisëm mirë, por hymë në ritmin e imponuar nga Teodo. Kemi lojtarë që kanë arritur tash dhe janë me vetëm dy stërvitje. Kjo është situta jonë. Mijovic dhe Vrbica, na dënuan lehtë nga trepikëshi. Shaptahovic nuk ka qenë me ekipin deri para dy ditëve, prandaj ai do të duhet të hyjë në ritëm. Pas dy javëve, presim që të arrijmë nivelin e duhur të lojës,” është shprehur Kurtovic, transmeton faqja zyrtare e ligës ballkanike sot.
Peja regjistroi humbjen e tretë në Grupin A të Balkan League mbrëmë, mirëpo ende është lidere me 11 pikë dhe një ndeshje më shumë se Kumanova.
Xhiron që vjen, ekipi verdhezi do të pres në Karagaç Rilski Sportistin e Bullgarisë, që e kishte mposhtur Pejën në ndeshjen e parë, 105-97.