PARASHIKIM
NBA 2018/2019, parashikime për sezonin e ri
Shkruan: G.P
16 October, 2018 @21:13
Në prag të edicionit të ri të NBA, le të bëjmë disa parashikime ‘shumë të hershme’ sa i përket çmimeve individuale dhe ekipore.
Pa u menduar shumë, titulli edhe në sezonin 2018/2019 do t’i takojë skuadrës së Golden State Warriors, e cila shihet si e pakonkurrencë edhe në sezonin e ri. Superioritetit të kësaj skuadre sezonin e kaluar tashmë i është shtuar edhe DeMarcus Cousins, një transferim ky që ka shuar çdo debat sa i përket një sfiduesi potencial të GSW-së. Megjithatë, kundërshtar serioz për ta në Perëndim ndoshta, me shumë dyshime, mund të jetë skuadra e Houston Rockets, e cila edhe në serinë finale të vitit të kaluar po i bënte ballë mjaft mirë Warriorsave deri në momentin që u lëndua Chris Paul, ndërsa një Boston pa lëndime në Lindje, që gjithmonë i ka shkaktuar probleme Warriorsave sidomos për shkak të ‘mbrojtjes në perimetër’, mund të jetë gjithashtu një kundërshtar i rrezikshëm për ‘luftëtarët’.
Në Perëndim, më të dobët se vitin e kaluar mund të jenë Spurs, por nuk besoj se nuk do ta arrijnë Play Off-in, ndërsa faktori LeBron James do të bëjë që edhe Lakers ta arrijnë fazën kryesor të sezonit, fazë të cilën kjo skuadër nuk e ka arritur tash e shumë vite.
Kur jemi te Lindja, favorit për të qenë kampion i këtij divizioni shihet Bostoni, mirëpo ardhja e Kawhi Leonard në Toronto i bën kanadezët një skuadër ‘për t’u shikuar’, pa e harruar edhe procesin e Philadelphias apo lojën tejet ‘eksplozive’ të Wizards. Ndër të tjera, Play Off-in do ta arrijnë edhe Bucks, Pacers, Pistons e Cavaliers. Këto dy të fundit ndoshta do të sfidohen nga Miami, mbetet të shihet.
Skuadrat që e arrijnë Play Off-in:
LINDJE: Celtics, Toronto, Wizards, Philadelphia, Bucks, Pacers, Pistons, Cavaliers.
PERËNDIM: GSW, Rockets, Thunders, Spurs, Jazz, Blazers, Lakers, Pelicans.
Çmimet individuale:
Sa i përket çmimeve individuale, MVP i sezonit të ri parashikojmë të jetë LeBron James, i cili për dallim nga sezonet e kaluara, këtë sezon do të ‘lodhet’ më shumë edhe në sezonin e rregullt, kur dihet që i duhet t’i bartë Lakers drejt Play Off-it në Konferencën Perëndimore, konferencë dukshëm më e fortë se ajo Lindorja. E për t’i dërguar Lakersat në Play Off, LeBronit padyshim që do t’i duhen paraqitje të nivelit MVP. Gjithsesi, konkurrentë të fortë për MVP pritet të jenë edhe Giannis Antetokoumpo, Anthony Davis e Kevin Durant.
Drafti i vitit 2018 u prit me mjaft entuziazëm, mirëpo vëmendje të veçantë këtë sezon pritet të ketë Deandre Ayton, qendra e Phoenix Suns, te i cili parashikojmë të shkojë çmimi “Rookie of the Year”. Krahasimet e tij me Shaq kanë filluar shumë shumë herët, gjë që shpresojmë të mos shkaktojë presion psikik te lojtari në fjalë. Emra që na shkojnë ne mendje për këtë çmim janë edhe Luka Doncic (Dallas) e Collin Sexton (Cleveland), por për një ‘nuancë’, Ayton duket më favorit.
Për trajnerin më të mirë të vitit, ky çmim me shumë gjasë do të meritohet përsëri nga Brad Stevens (trajneri më i mirë në NBA tash e 3 vite, ani pse jo gjithmonë e ka fituar këtë çmim), sidomos nëse Bostoni arrin të shpallet kampion në Lindje. “Most Improved Player of the Year” shumë lehtë mund të shkojë te Markelle Fultz, i cili duket lojtar ‘në rritje’ njëjtë sikurse skuadra e Sixers, ndërsa edhe çmimin “Defensive Player of the Year” e shohim të shkojë te Philadelphia, përkatësisht te Joel Embiid, te i cili pritet një rritje e statistikave personale këtë sezon. Gjithsesi, kandidatë të fortë për këtë çmim janë edhe Draymond Green, Rudy Gobert, Kawhi Leonard, Giannis Antetokoumpo e Anthony Davis.
Për “6th man of the Year”, një çmim që vështirë parashikohet, Dennis Schröder mund të jetë një nga emrat e mundshëm, por emër i mundshëm mund të jetë edhe Julius Randle, një lojtar për t’u shikuar sivjet.
Gjithsesi, këto parashikime janë shumë të hershme, sidomos kur dihet që deri në qershor të vitit 2019 shumë gjëra do të ndryshojnë. Skuadrat mund të përforcohen/dobësohen në afatin kalimtar, lojtarë të ndryshëm mund të pësojnë lëndime, trajnerë mund të shkarkohen, e shumë gjëra të tjera, mirëpo neve na mbetet vetëm të tentojmë të parashikojmë dhe të shijojmë magjinë e ligës më të fortë basketbollistike në botë!