PARA FILLIMIT TË STINORIT
Disa orë para fillimit, shtohet edhe një ekip
16 October, 2018 @17:13
Liga Ballkanike e basketbollit do të ketë skuadrë të re në stinorin 2018/19, të konfirmuar në ditën e fillimit të stinorit të ri, vetëm disa orë para ndeshjes së parë të saj.
BC Barsy Atyrau nga Kazakistani është ekipi i ri pjesëmarrës në BIBL dhe do t’ia nis menjëherë stinorit.
Duke marrë në konsideratë edhe largësinë gjeografike, BIBL ka kërkuar që ekipi nga Kazakistani t’i luajë këtë stinor ndeshjet në Bullgari dhe Kosovë, ndërsa në stinorët e ardhshëm do të shqyrtohet mundësia e zhvillimit të ndeshjeve në Kazakistan, prej nga vinë ata.
Barsy është themeluar në vitin 2003, ndërsa suksesin më të madh e ka arritur në vitin 2011 dhe 2016, kur u bë kampion i Kazakistanit. Ekipi i Barsyt është nga qyteti i Atyruat që konsiderohet ndarës i Evropës dhe Azisë pranë lumit Ural.
Barsy do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet e BIBL në periudhat: 19 - 23 nëntor 2018; 6 - 12 janar 2019; 27 janar - 2 shkurt 2019 dhe 3 - 9 mars 2019.
Përndryshe, gara në BIBL nis sonte me ndeshjen që zhvillohet në Prizren, ndërmjet Bashkimit vendas dhe Beroes bullgare.
Përveç Bashkimit nga Kosova, në BIBL këtë stinor merr pjesë edhe ish-kampionja e kësaj lige, Prishtina.