LUBOMIR MINCHEV
Nesër përgatitemi për finale
3 September, 2021 @23:22
Trajneri bullgar i Trepçës, Lubomir Minchev, në deklaratën e tij pas ndeshjes dhe sigurimit të finales së Superkupës ka thënë se është i lumtur për arritjen e lojtarëve të tij dhe menaxhmentit për këtë sukses.
“Ne për këtë ndeshje [ndaj Yllit] jemi përgatitur si për secilën ndeshje tjetër. I kemi mposhtur ata dy herë në miqësore dhe e dinim se do të jenë të motivuar sonte. Me të vërtetë jam i lumtur që arritëm finalen dhe uroj lojtarët dhe menaxhmentin e skuadrës për këtë arritje. Uroj edhe kundërshtarin që diti të na fusë në vështirësi gjatë ndeshjes,” ka thënë Minchev.
Ai u pyet nëse është motiv shtesë për Trepçën fitorja ndaj kampionit për ndeshjen finale.
“Nuk mund të them, pasi që secili ekip thuajse është krejtësisht i ri. Ka emocione pozitive në ekipin tonë, por duhet të qëndrojmë të qetë tash për të mos na humbur koncentrimi. Nesër do të përgatitemi për Prizrenin dhe shpresoj të përgatitemi mirë dhe t’i mposhtim,” ka thënë trajneri i ekipit mitrovicas, që ka nisur përgatijet me skuadrën më heret nga të gjithë të tjerët këtë stinor.
Sa i përket stinorit të rregullt të Superligës që pritet të nis pas dhjetë ditësh Minchev ka bërë të ditur se ekipi i tij përgjithësisht është gati.
“Kemi nisur gjithçka me kohë. Ne përgjithësisht jemi gati për stinorin e ri të Superligës. Më duhet të them se kemi lojtarë që ende nuk kanë kapur formën më të mirë të tyre, kjo për shkak të lëndimeve, si te rasti i Drilon Hajrizit, por ai me energjinë e tij edhe sonte tregoi se po kthehet në formë. Ekipi ka kiminë e mirë brenda dhe kjo më gëzon më së shumti,” ka thënë ndër të tjera në fund trajneri i Trepçës.
Kujtojmë, kjo arritje në finale e Trepçës është për herë të parë për mitrovicasit që prej vitit 2012 kur patën fituar gjithçka, titullin dhe Kupën e Kosovës. Prandaj entuziazmi në skuadrën e minatorëve është i madh dhe mbetet të shihet se çka do të bëjnë në finale, të dielën ndaj Prizrenit.