CARABAO CUP

Newcastle United fitues i Carabao Cup, trofeu i parë që nga viti 1969!
16 March, 2025 @19:40
Me plot meritë, Newcastle United është fitues i Kupës së Ligës së Anglisë!
Skuadra nga Tyneside fitoi 2-1 në finale ndaj Liverpoolit, për ta fituar kështu trofeun e parë vendor pas 70 viteve. Trofeun e fundit vendor Newcastle e kishte fituar në vitin e largët 1955, ndërsa në përgjithësi ky është trofeu i parë që nga viti 1969. Atë vit Newcastle e fitonte trofeun “Inter-Cities Fairs Cup”, një trofe ndërkombëtar.
Newcastle sot ishte skuadër më e mirë që nga fillimi. Luftë për çdo top, duele të fituara në mesfushë dhe plot raste të krijuara për shënim.
Epërsia fillestare erdhi krejt në fund të pjesës së parë, kur Dan Burn shënoi në stilin “Alan Shearer” me kokë (45’), e pastaj në minutën e 52’, suedezi Alexander Isak shënoi për 0-2.
Dy golat e pësuar dhe loja tejet e dobët në fazën sulmuese bënë që Arne Slot të hudhej në sulm me të gjitha forcat, por numri i madh i sulmuesve të gjuajtur në fushë nuk rezultoi plotësisht me sukses, madje skuadra veç sa u zhbalancua edhe më shumë në mesfushë.
Krejt në fund të ndeshjes, zëvendësuesi Federico Chiesa e ngushtoi rezutlatin në 1-2 (90+4’), por për barazim ishte vonë. Newcastle u mbajt mirë edhe në ata pak minuta që kishin mbetur dhe e mbylli ndeshjen finale me fitore.
Nëse flasim për paraqitjet individuale, sot fantastik te Newcastle ishte Joelinton, ndërkohë Mohamed Salah pati një paraqitje tejet zhgënjyese. Egjiptiani ndoshta nuk kishte as 20 prekje të topit në total.
Pas eliminimit nga Parisi në Champions League në mesjavë, Liverpooli sot humbi një mundësi tjetër për një trofe, por megjithatë ata janë në rrugë të mirë për ta fituar ligën, arritje e cila duket vetëm çështje kohe.
Kujtojmë që Liverpooli Kupën e Ligës e kishte fituar sezonin e kaluar, ndërkohë Newcastle iu afrua këtij trofeu dy vite më parë, por në finale u mposht nga Manchester United i Erik ten Hagit.