Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EDI REJA

Nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë kundërshtarin

Nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë kundërshtarin


24 March, 2021 @20:26

Kombëtarja shqiptare organizoi konferencën zyrtare dhe të fundit para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Botëror që do të luhet me Andorrën, ndërsa në te mori pjesë edhe përzgjedhësi i Shqipërisë, Edi Reja.

Konferenca u organizua në Andorra, aty ku do të zhvillohet ndeshja e nesërme.

Timonieri i kombëtares në deklaratën e tij tha se ekipi ka pasur pak kohë për t’u përgatitur, ndërsa si anë të mirë të situatës aktuale e vlerësoi rritjen e minutazhës së lojtarëve në skuadrat e tyre.

“Nuk është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje. Gjithsesi, ekipin e kam parë mirë. Ka pasur lojtarë që kanë luajtur edhe të dielën, ka pasur pak lodhje këto ditët e fundit me klubet e tyre. Gjithsesi, ekipin e kam parë mirë. Kam qenë pak i shqetësuar sepse në dy muajt e fundit situata nuk ka qenë mirë me lojtarët që luajnë me klubet e tyre, ka pasur dëmtime. Por situata është qetësuar dhe të gjithë po luajnë titullarë me ekipet e tyre dhe janë më mirë fizikisht. Kjo është diçka që më jep qetësi, jemi në formë por duhet përqëndrim i madh dhe fokus. Takohemi pas katër muajsh, nuk është shumë e lehtë por ne do të donim ta rifillonim aty ku e lamë në edicionin e fundit të Nations League, sa i përket formës apo edhe rezultatet. E dimë që Andorra është një kundërshtar i fortë dhe nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë”.

Shqipëria në këto kualifikime merr pjesë nga grupi I, së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

Lidhur me këtë, trajneri italian tha se përballë do të kenë kundërshtarë të nivelit të lartë, megjithëse kuqezinjtë kanë përfituar shumë nga edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve.

“Unë mendoj që ai rendiment, ai edicion i kaluar i Nations League do na japë stimuj më shumë. Sigurisht që përgjegjësia në skuadër është rritur dhe tani kemi përballë skuadra më të forta se ato që kemi pasur në Nations League. Por pas Nations League ne jemi ekip më i mirë dhe pritshmëritë janë për t’u rritur akoma. Tani është momenti i të vërtetës dhe të shohim nëse vërtetë jemi rritur ose jo. Kemi mundësi ta tregojmë këtë ndaj rivalëve të fortë që kemi në grup”.

Ndërsa lidhur me ndeshjen me Andorrën dhe formacionin me të cilin planifikon të dalë në fushë, Reja tha se gjithçka e ka të qartë në mendjen e tij.

“Patjetër që kam një ide të qartë për formacionin që do të hedh në fushë nesër. Ne e kemi formacionin tonë. Por kemi një seancë të fundit për sot dhe të shohim si do shkojnë gjërat. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente në këtë ndeshje. Do të mbështetem te lojtarët që kanë krijuar mentalitetin e duhur dhe te të cilët unë kam besim. Pastaj kemi edhe dy ndeshje të tjera, do bëjmë ndryshime, prandaj kam marrë 28 lojtarë. Do të kem mundësi për të provuar të tjerë. Më vjen keq për Abrashin dhe Balaj. Por unë kam një grup prej 30 e ca lojtarësh në qarkullim dhe sigurisht nuk mund të grumbullohen të gjithë. Sa i përket përgatitjeve, kemi pasur pak ditë. Unë kam bërë një seancë të plotë vetëm ditën e djeshme. Nuk është diçka shumë e mirë, por do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje më të mira me lojtarët që kemi, dhe besoj se kemi punuar mirë”.

Për fund, taliani foli edhe për objektivat e Shqipërisë në këto kualifikime dhe mentalitetin e lojës te kuqezinjtë.

“Nuk mund të bëj parashikime për objektivat që do të ketë Shqipëria në këtë grup, por duhet ndryshim mentaliteti. Duhet më shumë siguri. Ekipi duhet të ketë kurajo dhe aspak frikë, duhet të ketë ekuilibër. Situata është e ndryshme, ne takohemi pas kaq kohësh në këtë grumbullim, por duhet të jemi shumë të fortë psikologjikisht. Është ndryshe Kombëtarja dhe është ndryshe në klub. Në klub të lejohet të bësh edhe ndonjë gabim sepse mund ta rikuperosh, ndërsa gabimi në Kombëtare kushton shumë rëndë. Duhet mbajtur tensioni lart gjatë gjithë kohës, pavarësisht kundërshtarit apo rezultatin në lojë”, përfundoi trajneri Reja.


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Botëror