KOSOVA U20
Për përfaqësim sa më të mirë
Teksti: FBK
17 June, 2019 @12:29
Basketbollistët e Kosovës U-20 janë duke u përgatitur intensivisht për Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet nga 12 deri më 21 korrik 2019, në Matosinhos të Portugalisë.
Të përzgjedhurit e Ibrahim Karabegut janë duke u stërvitur dy herë në ditë, për të pasur një përfaqësim sa më të mirë në këtë garë shumë të rëndësishme.
“Kampionati ka përfunduar më herët dhe lojtarët kanë hasur në vështirësi fizike, megjithatë, jemi duke u stërvitur dy herë në ditë. Përgatitjet fizike po i mbajmë në Gërmi dhe Taukbashçe, derisa atë taktikë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe në Obiliq. Gjithsesi lojtarët po japin maksimumin në stërvitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës U-20 (meshkujt).
Kosova U-20 ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Maqedoninë Veriore, duke pësuar 68:67, kurse nga 21 deri më 23 qershor do të jetë pjesëmarrëse në turneun që mbahet në Shkup, ku do të ballafaqohet me Rusinë, Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi.
“Tashmë do të kemi edhe një turne në Maqedoninë Veriore, ku do të luajmë edhe kundër Rusisë e Malit të Zi, që janë kombëtare favorite për kampion në Divizionin B. Këto ndeshje do të na shërbejnë të shohim formën e lojtarëve dhe mangësive që i kemi. Pra, t’i eliminojmë mangësitë para Kampionatit Evropian në Divizionin B. Ne kemi 14 lojtarë momentalisht, dy janë eliminuar më herët, dhe lista do të shkurtohet në 12 pas turneut në Maqedoni”, thotë tutje Karabegu.
Kosova në Evropian është në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.
“Nuk kemi ambicie për ndonjë vend në Evropian. Synimi ynë është të përfaqësojmë sa më mirë shtetin e Kosovës në këtë garë shumë të rëndësishme. Unë dua të fitoj në çdo ndeshje. Kështu e kam mentalitetin. Kundërshtarët e Kosovës janë shumë të mirë, pasi kanë edhe më shumë përvojë”, është shprehur trajneri Karabegu.
Tri kombëtaret e para nga Divizioni B kalojnë në atë A.