KOMUNIKATA E KB BASHKIMI
Bashkimi qartëson vështirësitë që i kaloi në stinorin 2018/19
13 June, 2019 @22:08
KB Bashkimi, përmes faqes zyrtare të ekipit në Facebook, ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka qartësuar situatën që kaloi klubi gjatë sezonit të kaluar.
Ekipi ka arsyetuar komunikatën të lëshuar pas përfundimit të stinorit, për mos vështirësim të gjendjes në klub përgjatë stinorit.
KB Bashkimi ka bërë të ditur që borxhet e trashëguara nga kryesia e kaluar nuk kanë qenë rreth 40 mijë euro, siç iu është thënë, por shumëfish më shumë.
“Në total kryesisë aktuale të KB Bashkimit i janë trashëguar gjithsej 221 mijë e 41 euro borxhe, të ndara në tre kategori: 1. ndaj bizneseve private 80 mijë e 670 euro, 2. ndaj lojtarëve (përfshirë edhe dënimet në BAT) 84 mijë e 828 euro, 3. ndaj ATK-së 55 mijë e 543 euro. Nga i gjithë ky borxh, gjatë këtij stinori klubi ka shlyer 20 mijë e 411 euro,” ka bërë të ditur ndër të tjera komunikata e klubit.
Kryesia aktuale e KB Bashkimi gjithashtu ka bërë të ditur se për tu mos u përsëritur kjo situatë në të ardhmen ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj lojtarëve dhe shtabit teknik, përfshirë edhe kontributet e tyre për edicionin 2018/19.
Kurse, duke pasur parasysh stinorin e radhës që nis me borxh që dihet në çdo cent, klubi është i fokusuar në krijim të stabilitetit financiar dhe sportiv për vitet e ardhshme, duke cekur pikat ku do të orientohet: si fuqizimi i shkollës, puna me gjeneratat e reja, dokumentimin e bazës së të dhënave që dëshmon dhe ruan historinë e ekipit, etj.
Për më tepër, shikoni deklaratën e klubit si mëposhtë:
Kryetar i KB Bashkimit në sezonin 2017/18 ka qenë Shaqir Totaj, që njëkohësisht është edhe nënkryetar i FBK-së, ndërsa pas tij, për sezonin 2018/19 kryetar u zgjodh Fadil Sahiti, që në ndërkohë dha dorëheqje dhe ekipi është tash nën menaxhim të u.d kryetarit Rini Shpendi.