CAVS - CELTICS @ GAME 3

Përmbysje e madhe, Bostoni ngushton serinë
22 May, 2017 @10:43
Një ndeshje që pritej se do të ishte deklasimi i radhës për Bostonin, me 2 ndeshjet e para në ‘TD Garden’ që ishin komplet pa histori për shkak të një Clevelandi të pamëshirshëm, doli të ishte komplet ndryshe.
Përkundër mungesës së liderit Isaiah Thomas, Bostoni e befasoi kampionin në fuqi falë një pjesë të dytë fantastike, për ta ngushtuar serinë në 2-1 pas 3 ndeshjeve të luajtura.
Pjesa e parë e takimit i takoi Clevelandit të udhëhequr nga dyshja Kevin Love e Kyrie Irving. Love vetëm në pjesën e parë shënoi 7 trepikësha, ndërsa e tëra skuadra e Clevelandit pati plot 14 treshe në pjesën e parë, pjesë të cilën e mbylli me 16 pikë epërsi.
Mirëpo gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Të udhëhequr nga Marcus Smart, i cili e zëvendësoi në mënyrë fenomenale Thomasin e lënduar, dhe me një Jonas Jerebko çuditërisht në formë, Celtics arritën që dalëngadalë ta ngushtojnë rezultatin dhe në fund ta fitojnë takimin. Takimi u fitua në sekondin e fundit nga një treshe e Avery Bradleyt, i cili shënoi për 111-108 dhe Clevelandi nuk pati më kohë për ndërtimin e një sulmi përfundimtar.
Rol vendimtar në fitoren e Bostonit pati edhe performanca jo e mirë e LeBron James, i cili takimin e mbylli me vetëm 11 pikë, ndërsa në 16 minutat e fundit të ndeshjes ishte i neutralizuar komplet dhe nuk shënoi as edhe një pikë.
Ndeshja e radhës luhet përsëri në ‘Quicken Loans Arena’ të Clevelandit dhe në atë takim seria mund të barazohet apo Clevelandi mund t’i afrohet shumë finales në rast të fitores.