GJOBË, SUSPENDIM I PJESËRISHËM STADIUMI DHE DËNIME PËR FUTBOLLISTË

Pikat për të cilat FIFA dënoi Serbinë për ngjarjet e Botërorit
14 January, 2023 @13:02
Pas ankesave të bëra të Federatës sonë, si dhe ngjarjeve të ndodhura në Kampionatin Botëror të Katarit, Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) është dënuar nga FIFA.
Ky është dënimi i dytë që FSS pranon nga FIFA për mosrespektim të kodit sportiv me reagimet e tyre anti-shqiptare.
Kështu, në njoftimim e lëshuar nga FIFA mbrëmë bëhet e ditur se FSS është dënuar me 50 mijë franga zvicerane gjobë, mbyllje të pjesëshme të stadiumit (25% të ulëseve të zbrazëta) për ndeshjen e radhës të ekipit kombëtar të tyre, për shkak të thyerjes së nenit 13 (diskriminim) dhe nenit 12 (sjellje josportive e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA-së, për brohoritje dhe këngë në kor të tifozëve dhe ekipit (sanksione individuale për shtatë lojtarë) gjatë ndeshjes Serbia - Zvicra.
Kujtojmë, në atë ndeshje kishte pasur provokime të mëdha të futbollistëve serb dhe tifozërisë së tyre, karshi zviceranëve në vecanti ndaj lojtarëve të tyre Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pasi që janë nga Kosova, ndërsa është vërejtur nga leximi i gojës së selektorit serb edhe sharja drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes.
Xherdan Shaqiri kishte shënuar gol në këtë ndeshje, ndërsa Zvicra kishte mposhtur Serbinë për ta eliminuar nga Botërori.