Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GRUPI G: SERBIA - ZVICRA

Shaqiri hap llogarinë, Zvicra kualifikohet duke eliminuar Serbinë

Shaqiri hap llogarinë, Zvicra kualifikohet duke eliminuar Serbinë


2 December, 2022 @22:29

Zvicra është kualifikuar për të 1/8 e finales së Botërorit, pasi që ka mposhtur Serbinë në një ndeshje me plot gola si dhe me tensione në terren. Zviceranët kanë shënuar fitore, Serbia 2-3 Zvicra [Aleksandar Mitrovic 26, Dusan Vlahovic 35 - Xherdan Shaqiri 20, Breel Embolo 44, Remo Freuler 48].

Xherdan Shaqiri i dha avantazhin Zvicrës, të cilëve i mjaftonte barazimi për të shkuar tutje. Por, serbët u rikthyen në lojë përmes golave të Aleksandar Mitrovicit dhe Dusan Vlahovicit.

Për mbylljen e pjesës së parë me 4 gola në duel, u përkujdes Breel Embolo, që bëri 2-2. E si filloi pjesa e dytë shënoi edhe Remo Freuler për t’ia dhënë fitoren atyre.

Xherdan Shaqiri

Më pas ndeshja u përshkua nga tensionet, pasi që në pamundësi të krijimit të akcioneve të duhura për të shënuar, Serbët nisën provokimet e ndryshme. Xherdan Shaqiri që fishkëllohej non-stop nga tifozët serb në stadium, festoi para tyre duke bërë shenjë “mbylleni gojën”, ndërsa përzgjedhësi i serbëve Dragan Stojkovic shante “nënën shqiptare”!

Kulminacioni u arrit në minutën e 66-të të ndeshjes, kur serbët kërkuan penallti, ndërsa në atë moment nisën gjuajtjet e fjalëve në mes të bankës serbe dhe Granit Xhakës. Xhaka ua bëri me shenjë nga mesi i këmbëve bankës serbe, derisa ata kaluan në nervozizëm total, e pas kësaj në një moment portieri serb Vanja Milinkovic-Savic kapi për fyt Xhakën, që nuk reagoi fare fizikisht, për të përfunduar ndeshja 2-3 në fund me festë të madhe të zviceranëve me në qendër dyshen nga Kosova, Shaqiri e Xhaka, ku ky i fundit veshi edhe fanellën e Ardon Jasharit për të cuar në nivele patrioke shqiptare festën dhe eliminimin e Serbisë.

Për statistikë, Xherdan Shaqiri bashkë me Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, bëhen lojtarët e vetëm që kanë shënuar në tre Botëroret e fundit së paku nga një gol. Ndërsa në këtë ndeshje, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Ricardo Rodriguez janë bërë lojtarët e parë zviceran që arrijnë shifrën e 11 ndeshjeve të zhvilluara për seleksionin zviceran në Botërore, duke regjistruar kështu, rekord.


 
Të gjitha lajmet nga Botërori