Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

A R GJ E N T I N A — KAMPIONE E BOTËS

Argjentina e Messit, Kampione e Botës — pas dramës mbi 120-minutëshe

Argjentina e Messit, Kampione e Botës — pas dramës mbi 120-minutëshe


18 December, 2022 @19:00

Argjentina është kampione e re e Botës në futboll, duke e fituar për të tretën herë Kupën, ndërsa Lionel Messi ka arritur ëndrrën shumëvjeçare të tij.

Argjentina

Argjentina mposhti Francën në finalen jashtëzakonisht dramatike dhe në njërën ndër finalet më të mëdha të luajtura ndonjëherë, me rezultat 2-2 pas 90-minutash lojë, 3-3 pas vazhdimeve dhe 4-2 pas penalltive.

Argjentina tash e tutje do të ketë yllin e tretë mbi stemën e saj në fanella. Gauchosët sonte kanë fituar Botërorin e Katarit, Botërorin e tretë në histori, ndërsa pas Mario Kempesi të 1978s, Diego Maradonës së 1986s tashmë kjo do të mbahet në mend si 2022-a e Lionel Messit.

Lionel Messi

Dhe, nuk përfundon këtu, pasi që Messi përfundimisht e fitoi edhe Kupën e Botës, që i mungonte në CV-në e tij, pas herës së pestë të provuar prej të cilave një finale e humbur. Sigurisht, kjo do të jetë arritja më e madhe e fundit për të.

Duke marrë parasysh gjithcka që i ka dhënë futbollit ky njeri, atëherë ai vetëm se ka konfirmuar pohimin për tu njohur si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave.

Argjentina u desht të fitojë finalen tri herë! Franca rezistoi sa mundi dhe atë fuqishëm në saje të lojës gjigande të Kylian Mbappes në anën tjetër. Edhe diçka, mund të thuhet se ishte Botërori më i mirë i të gjitha kohërave për finalen e treguar. Mbappe mbajti në shpinë Francën deri te penalltia e ekzekutuar nga ai. Shëndriti.

Kylian Mbappe

Në finalen e paraparë si Messi vs. Mbappe, heroi argjentinas hapi llogarinë e golave të ndeshjes historike nga penalltia, derisa Angel di Maria i shkëlqyeshëm pasi nxorri penalltinë shënoi edhe vetë në një akcion të bukur dhe të shpejtë, që zuri mbrojtjen franceze në hap, për të avancuar 2-0 pas 45-minutave lojë. Lionel Scaloni nuk kishte përdor Di Marian në 11-she që prej fazës grupore!

Didier Deschamps në anën tjetër lëvizi menjëherë “ushtarët” e tij dhe nuk priti të përfundojë pjesa e parë. Olivier Giroud dhe Ousmane Dembele u zëvendësuan që në minutën e 41 të ndeshjes, për tu futur të rinjtë eksploziv Marcus Thuram dhe Randal Kolo Muani.

Angel Di Maria

Kur Argjentina nuk shfrytëzoi disa kundërsulme në pjesë të dytë dhe paksa lëshuan mesin, në skenë doli Mbappe. Brenda 97 sekondave shënoi dy herë, një nga penalltia dhe një prej sulmit të radhës.

Vazhdimet e pashmangshme për të nxjerrë një fitues.

Argentina

Messi provoi një super goditje për 3-2, Hugo Lloris briliant, nuk e la. Në pjesën e dytë të vazhdimeve Messi shënoi nga afërsia për tu gëzuar njëmend kësaj radhe sepse dukej që gjithcka po përfundonte me triumf 120-minutësh.

Franca fiton penallti pas një prekjeje të pavullnetshme me dorë të argjentinasve në zonë, referi i pagabueshëm në gjykim, Mbappe bën 3-3 për të cuar gjithcka në llotarinë e penalltive. Nëse i ka mbetur t’i thuhet më llotari për shkak të rëndësisë psiko-emocionale që e kanë ato në një ndeshje madhore.

E aty në skenë doli heroi argjentias i Copa Americas. Portieri Emiliano Martinez bëri atë që bën më së miri. Përkundër se ishte për pak të mbronte gjatë ndeshjes penalltinë e parë të Mbappes, ai përsëri bëri më të mirën e tij, për t’i siguruar trofeun madhor të futbollit vendit të tij.

Lionel Messi

E kësaj natyrisht i ndihmuan edhe penalltitë “e përvojës” të shënuara nga argjentinasit, me Messin, Paulo Dybalan - që ekzekutuan mjeshtërisht, ndërsa Leandro Paredes e Gonzalo Montiel nuk gabuan - për të sjellë festën e madhe.

Kingsley Comanit penalltinë ia mbrojti Emi Martinez, ndërsa Aurelien Tchouameni gjuajti jashtë porte. Mbappe kishte kryer detyrën përsëri. Ai shutoi i pari dhe shënoi. E të katërtën e dha Randal Kolo Mouani. Por ishte vonë, pasi që goli i Montielit pas tij kishte kryer gjithcka në Katar.

Emiliano Martinez

E për të treguar rëndësinë e Emi Martinezit, duhet parë mirë e mirë rastin e minutës së fundit të vazhdimeve, kur Kolo Muanit iu mbrojt shuti para portës.

Argjentina 3 (4) - 3 (2) Franca [Lionel Messi 23 pen., 108, Angel di Maria 36 - Kylian Mbappe 80 pen., 81, 118 pen.]



Penalltitë radhazi:

Kylian Mbappe FRA GOL ARG 0-1 FRA
Lionel Messi ARG GOL ARG 1-1 FRA
Kingsley Koman FRA mbron portieri ARG 1-1 FRA
Paulo Dybala ARG GOL ARG 2-1 FRA
Aurelien Tchouameni gjuan jashtë ARG 2-1 FRA
Leandro Paredes GOL ARG 3-1 FRA
Randal Kolo Muani GOL ARG 3-2 FRA
Gonzalo Montiel GOL ARG 4-2 FRA

 
Të gjitha lajmet nga Botërori