GAZETAT dhe BALLINAT E TYRE — PAS FINALES HISTORIKE
Ballinat e gazetave Botërore: “Legjendat”, “Këmba e Zotit”, “Në dorë të Zotit”...
19 December, 2022 @12:06
Dita e sotme ka aguar me temën kryesore të Botës, finalen e Kampionatit Botëror “Katari 2022” ku Argjentina mbrëmë riktheu trofeun e Kupës së Botës pas 36 vitesh në vend, duke e mposhtur Francën në finalen më dramatike të zhvilluar ndonjëherë 3-3 pas 120-minutave lojë, ndërsa 4-2 pas penalltive.
Clarini argjentinas ka aguar me ballinën “Falemnderit Messi” - që shpreh në mënyrë të thjesht gjithçka që i ka sjellë Lionel Messi futbollit të këtij vendi dhe asaj që pritej që moti që prej kohës së Diego Maradonës.
“Lio është Argjentina” ka shkruar sportivja argjentinase Ole në ballinë, ndërsa ka cekur finalen vibrante që ka qenë për infarkt.
Duke përshkruar pak edhe veten, The Sun kontravers anglez ka shkruar në ballinë “Në dorë të Zotit” duke e shfaqur Kupën e Botës me fotografinë e Messit në ballinë, ndërsa më tej ka theksuar se kjo ishte finalja më e mirë e Botërorit që prej vitit 1966 kur Anglia kishte mposhtur në vazhdime Gjermaninë, 4-3.
The Guardian ka dalë në ballinë me fotografinë e triumfit argjentinas, duke shkruar “Kampionë! Fitorja që e kurorëzon Messin”.
The Independent me fotografinë e Messit duke e puthur Kupën e Botës, me të mëdha ka shkruar “Momenti i Messit” ndërsa si nëntitull ka vendosur tri fjali: “Lojtari më i madh”, “Finalja më e madhe” dhe “Shpërblimi më i madh.”.
Francezja sportive L’Equipe me Mbappen duke parakaluar pranë Kupës së Botës u ka dhënë përkrahje trekolorëve me titullin “Kokën lart” duke e përshkruar më tej finalen “e legjendave”.
Italianja La Gazzetta dello Sport ka aguar me një krahasim interesant, duke ditur për “Dorën e Zotit” që e kishte quajtur Maradona në vitin 1986 golin e tij të shënuar ndaj Anglisë, “Messi, Këmba e Zotit” për të vazhduar “në finalen më të bukur ndonjëherë”.
Fotomaçi turk ka thënë: “Messi, Kampion Bote”.
Mundo Deportivo ka marrë guximin ta thotë direkt: “Messi, më i miri në histori”.
Asi spanjoll ka shkruar “Në qiell”.
Ndërsa elPeriodico ka vendosur titullin “I përjetshmi Messi”.
Francezja Liberation ka sjellë në ballinë foton e Messit dhe Mbappes duke festuar golat e tyre, ndërsa në mes e ka shkruar titullin vertikalisht “Legjendarët”.