NJERIU PAS REKORDIT
“Ishte fat”, flet njeriu fotografia e të cilit theu rekordin e pëlqimeve në Instagram
Via BBC-Sport
27 December, 2022 @23:35
Fotografi që e bëri foton, të cilën Lionel Messi e ndau në Instagram dhe u bë fotografia më e pëlqyer në histori të kësaj platforme, ka thënë se momenti i fotografisë ka qenë “thjesht, fat”.
Argjentinasi Messi (35) zgjodhi foton e Shaun Botterillit, si fotografi të parë në galerinë e tij për të festuar arritjen historike. Ky postim i Messit tashmë ka kaluar 72 milionë pëlqime dhe ky numër ende po rritet.
Botterill (55) nga Northamptoni i Anglisë, duke folur për BBC-në ka thënë se në këtë foto “ka pasur pak plan, por shumë më shumë fat”.
Ai është punëtor i agjencisë Getty Imanges, që ka qenë e kontraktuar nga FIFA, ndërsa Botterill ka qenë pjesë e ndeshjes finale ku Argjentina mposhti Francën pas penalltive.
“Ka qenë pak tollovi pas prezantimit të trofeut. Pas kësaj, në një moment Messi cohet lart. Në atë moment duhet të vendosësh në cilën anë të shkosh, duke shpresuar që ai po vjen atje ku je ti. Ai u shfaq para porte, më pas e kaloi atë, pasi që lojtarët shkyenin rrjetën për kujtim dhe pas kësaj Aguero e solli atë para meje. Messi ishte larg jo më shumë se 1 metër,” ka thënë Botterill.
“Zakonisht duhet të gjesh pozitën në këto situata, por patjetër të duhet edhe fati në fund. E fati kësaj radhe ishte para meje - pasi që shumë lehtë të bllokojnë në këto situata. Më pas mendoja, s’ka gjasa që ky moment të ketë ndodhur para meje,” shton fotografi i Gettyt.
Pjesa më interesante është që Botterill nuk përdor rrjetet sociale dhe ai e ka kuptuar që fotografia e tij po thyen rekord pasi që kishte arritur në Britani të Madhe nga Katari.
“Një koleg më shkroi mesazh dhe më tha se fotografia ime është bërë bajagi e famshme. Por kjo s’do të thotë asgjë për mua, pasi që unë nuk jam në Instagram. Në fund të fundit, e kam mposhtur një fotografi të vesë, që është një lloj fame,” ka shtuar ai.
Kujtojmë, deri tash rekordi i pëlqimeve në Instagram i ka takuar fotos së vezës së thjesht, kur një faqe kërkoi angazhimin e tërë botës për t’ia thyer rekordin e pëlqimeve të Kylie Jennerit. Dhe deri në finale, veza ishte rekordere!
Përndryshe Katari ka qenë Botërori i tetë për Botterillin si redaktor dhe si fotograf. E para për te ka qenë Botërori i Meksikës 1986, kur kishte fituar Argjentina për herë të fundit Botërorin!!!