PRIZRENI - PRISHTINA
Prishtina s’lejon befasi, kthehet në pjesë të dytë
20 March, 2019 @20:50
Pas epërsisë 10 pikëshe në fund të çerekut të parë dhe ruajtjes së saj deri në fund të pjesës së parë, Prizreni nuk ka arritur t’i bëj ballë Prishtinës në pjesë të dytë të ndeshjes.
Prishtina ka regjistruar fitoren e 22 të stinorit nga po aq ndeshje dhe vazhdon të jetë e pamoshtur përkundër se trajneri i saj Damir Mulaomerovic mungoi edhe sot dhe ekipi u drejtua nga dyshja Andin Rashica e Illmen Bajra.
Divine Myles me 27 dhe Dardan Berisha me 24 pikë kanë shënuar më shumë se gjysmën e pikëve të Prishtinës në fitoren 83-94, derisa Dardani ka kryer lojën me double-double duke regjistruar edhe 11 asistime në fitore.
Përveç dyshes së përmendur ka qenë edhe Rodney Bullock që ka shënuar pikë dyshifrore, duke shtuar 19 në llogari të tij dhe 7 kërcime tjera.
Ajo që vlen të përmendet është fakti se nuk ka qenë nata e snajperistëve të skuadrave përkatëse. Derisa Elliott Cole ka shutuar 2/11 për tre pikë, në anën tjetër Dardan Berisha ka shutuar 4/15 për tre pikë.
Te Prizreni përkundër se 5 lojtarë luajtën me pikë dyshifrore dhe tre prej tyre kryen ndeshjen me double-double, mundësia për fitore u zbeh në fund.
Më efikasi te vendasit ka qenë Malcolm Canada që luajti me 19 pikë e 10 kërcime, ndërsa me 16 pikë e 10 kërcime u tregua i rëndësishëm edhe Qëndrim Ajazaj.
Pas kësaj ndeshjeje, Prishtina ka bilans 22-0, kurse Prizreni përkundër humbjes ngritet në pozitën e katërt të klasifikimit me bilans 11-11.
Në xhiron e radhës që nis të premten, Prizreni i shkon në mysafirllëk Boreas në Karagaç, ndërsa Prishtina Lipjanit në BetterLife Arena.