TREPÇA
Pritja gati një dekadëshe për trofe!
4 September, 2021 @10:41
Ndërrimi i menaxhmentit në pjesën e dytë të stinorit të kaluar dhe përgatitja e ekipit shumë herët për sezonin e ri 2021/22 ka treguar se Trepça e ka marrë me seriozitet si asnjëherë më parë kampionatin dhe garat tjera ku përfshihet këtë stinor.
Gjithashtu, mos inkuadrimi i saj në Ligën Unike e as në BIBL bën që ekipi të jetë plotësisht i koncentruar në gara vendore dhe titujt kosovarë.
E me Lubomir Minchevin në krye, me kohë të mjaftueshme për tu përgatitur si dhe me përforcimet e ardhura me kohë, mitrovicasit kanë kaluar lehtë kundërshtarët deri në finale.
Pas eliminimit të Rahovecit në çerekfinale të garës, xehetarët kanë kaluar edhe kampionin aktual, Yllin në gjysmëfinale për të arritur finalen.
“Rikthimi i lojërave me kalimin e kohës, në pjesë të dytë, po tregon që ne po qëndrojmë më shumë në lojë për shkak të përgatitjes së hershme, ndërsa të tjerët po bien nga loja,” ka shpjeguar mbrëmë bullgari Minchev pas fitores së arritur ndaj Yllit, duke shprehur lumturinë e madhe për arritjen e këtij suksesi.
Kujtojmë, Trepça nuk ka fituar trofe në basketbollin kosovar që prej stinorit 2011/12 kur u bë kampione dhe fitoi edhe Kupën e Kosovës, me një lojtar që shkonte drejt shpërthimit atëherë: Drilon Hajrizi.
E tash Driloni është rikthyer te foleja e tij, për t’i kthyer trofetë. Me bashkëlojtarët tjerë, do të tentojnë atë të parën, me fillim prej orës 17:00. Ndaj Prizrenit në finale të Superkupës së Kosovës.