PRIZRENI
Arritja historike që kërkon të përfundojë me trofe
4 September, 2021 @9:49
Një histori jo shumë e gjatë e KB Prizreni. Skuadra e themeluar vonë në basketbollin e Kosovës si KB Kalaja eci rrugës së ngritjes katër vite më parë dhe duke u shndërruar në KB Prizreni u fut në Superligë.
Me Arbnor Rifatin trajner e menaxher dhe insistimin e tij për të qenë gjithmonë pjesë e më të mirëve, tashmë KB Prizreni ka shkruar historinë e klubit bardhezi nga qyteti i vjetër duke arritur finalen e parë dhe historike të skuadrës.
Me fitore ndaj KB Peja dje, KB Prizreni ka arritur finalen e parë në histori të klubit dhe nesër pasdite do të ndeshet me KB Trepça për të kërkuar trofeun e parë në histori të klubit, atë të Superkupës së Kosovës.
“Aty ku është Arbnor Rifati, aty synohen majet,” tha dje ndër të tjera Rifati, dikur gjyqtar basketbolli, pas fitores në gjysmëfinale.
Ky klub në stinorin e kaluar për herë të parë përfundoi si fitimtare e kampionatit të rregullt, ndërsa në PlayOff u mposht pas një incidenti që Federata e vleërsoi me humbje në tavolinë në kurriz të bardhezinjëve.
Kësaj radhe, të gjithë në klub duket se kanë mësuar edhe më shumë dhe kanë marrë edhe më tepër përvojë - dhe duket se janë pranë trofeve.
E tash ata do të kenë përballë Trepçën mitrovicase që gjithashtu ka mall për trofe. Mitrovicasit do të kenë rastin për të fituar trofe për herë të parë që prej vitit 2012!
E mundësia kthehet në realitet nesër mbrëma për vetëm njërën skuadër, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, me fillim në ora 17:00.