PËRFORCIMI I RADHËS
Prizreni s’ndalet, merr lojtarin e rivalit lokal
31 December, 2018 @10:42
Klubi i Prizrenit në basketboll nuk është duke pushuar fare këtë fundvit.
Pas angazhimit të Getoar Arifajt, ekipi bardhezi nga Prizreni ka zyrtarizuar sot basketbollistin e radhës në ekip, Ergin Grosha.
Grosha përgjatë stinorit vjeshtor ka qenë pjesë e ekipit kampion të Kosovës, Bashkimi, ndërsa tash e tutje do të vesh fanellën e rivalit lokal, që pret ngritje në klasifikim përgjatë pjesës pranverore të stinorit.
Statistikat e Groshës
Basketbollisti 211 centimetra i gjatë me 25 vjetët e tij, përgjatë vjeshtës ka pasur mesatare 14.5 minutave të zhvilluara për Bashkimin në Superligë. Ai është paraqitur në 13 prej 14 ndeshjeve të ekipit portokallezi përgjatë vjeshtës, ndërsa ka pasur mesatare prej 7.5 pikëve për ndeshje, 2.9 kërcimeve dhe 0.2 asistimeve.
Grosha përndryshe është njëri ndër lojtarët më efikas në Superligë për shënim të gjuajtjeve të lira. Ai ka 85% saktësi nga gjuajtjet e lira.
Në BIBL, Grosha është paraqitur në të katër duelet e Bashkimit përgjatë vjeshtës me mesatare 20 minuta për lojë, ku ka shënuar 8 pikë për ndeshje, 3.5 kërcime dhe 0.8 asistime. Edhe këtu, në gjuajtjet e lira ai ka pasur përqindje të lartë, 87% i saktë.