KOLUMNE
Reali përballë Fenerbahçes në ndjekje të “La Decimas”
Shkruan: BLERIM MYFTIU
19 May, 2018 @19:00
Gjysmëfinalja e dytë ishte shumë më energjike se sa ajo e para. Trajneri i Realit kishte vendosur që veteranin Felipe Reyes ta fuste në pesëshen e parë krahas Dončićit, Campazzos, Ayónit dhe Taylorit. Kurse Dimitris Itoudisi i CSKA-së nuk hoqi dorë nga pesëshja e tij e zakonshme (Rodríguez, Kurbanov, Higgins, Antonov, Hunter). Ndeshja filloi me sulme të shpejta, pasime të bollshme, ndërprerje të pakta dhe efikasitet më të lartë se ajo e para. CSKA-ja ishte në udhëheqje të vazhdueshme dhe në saje të Cory Higginsit dhe 10 pikëve të tij epërsia ishte konstante. Edhe pse Antonovi bëri dy gabime të shpejta, banka e thellë e moskovitëve dhe shënimi trepikësh me zërin e sirenës të Will Clyburnit, bëri që çereku i parë të mbyllet me 30-20 epërsi për CSKA-në.
Nando de Colo i mungoi CSKA-së gjatë play-offit, por bëri një kthim këtë javë, kështu që nga pjesa e dytë ishte i rëndësishëm në mbajtjen e epërsisë. Edhe trajneri Laso i Realit eksperimentoi goxha me bankën e tij dhe është pak të thuhet stuhi për mënyrën se si Real Madridi e nisi çerekun e dytë. Për vetëm dy minuta, spanjollët shënuan pesë treshe (dy Carroll dhe nga një Causeur, Llull e Thompkins) dhe gjithsej 17 pikë për ta përmbysur rezultatin shpejt në 37-34 në favor të veten. Heshtazi, por sigurt, tinejxheri më i mirë i botës, Luka Dončići iu kyç dhe e përmbylli pjesën e parë me 10 pikë, duke mundësuar përmbylljen e pjesës së parë me epërsi të lehtë të ekipit të vetë, 47-46.
Fillimi i çerekut të tretë kaloi në shenjë të CSKA-së që arriti me 5 pikë fillestare të krijojë epërsi. Por pjesa e mbetur e këtij çereku u shndërrua në ferr të vërtetë për rusët pasi në 7 minutat në vijim nuk arritën të shënojnë asnjë pikë dhe i dhanë mundësi Realit që ta përmbyll me 7 pikë epërsi këtë çerek, 63-56. Por veterani i Euroligës dhe me gjasë qendra më e shkurtër e saj, Kyle Hines me gjithsej 198 centimetrat e tij u kthye pas lëndimit në aksion, shënoi 4 pikë dhe pati një aksion tejpërtej fushës i cili ishte gjurma e tij vënë kësaj ndeshjeje. Ai e përmbylli takimin me 16 pikë, ishte lokomotiva e ekipit në çerekun e katërt, në të cilin CSKA-ja ishte plotësisht e çakorduar dhe vështirë të mbahet mend një gjendje e tillë për një kohë të gjatë.
Në çerekun e katërt, i cili filloi me epërsinë e Realit 64-56, Llull e mori barrën e organizimit, Dončićit iu krijua hapësira për plotësimin e statistikave, ndërsa nën kosh qendrat e Realit krijuan një dominim. Kryesisht Kyle Hines e Nando de Colo shënonin për CSKA-në, por në momentet kyçe bëheshin humbje topash dhe zgjidhje joadekuate në sulm, që kombinuar me treshet e lojtarëve të jashtëm të Realit bënë që kualifikuesi i dytë në finale të mos vihej në pikëpyetje.
Real Madridi do të paraqitet në finalen e 18-të të Euroligës, në të cilën do të kërkojë titullin e 10-të të më të mirit në Evropë. Kthehet në finale pas tre vitesh, kur për herë të fundit duke e mposhtur Olympiacosin qe vendosur në olimpin e basketbollit evropian. Përballë e ka kampionen aktuale, Fenerbahçen, e cila është në finalen e saj të tretë rresht, mirëpo trajneri i ekipit turk, Željko Obradovići, e ka synimin e njëjtë për vete – titullin e 10-të të Euroligës.