BASHKIMI - PEJA

Rikthim i madh, Bashkimi përmbys Pejën pa Dardanin
28 October, 2021 @18:57
Pas një starti jo të mirë, Bashkimi ka arritur që në një dramë të vërtetë në sekondat e fundit të ndeshjes të mposhtë lideren e Superligës, KB Peja, 85-83 [19-28, 28-19, 15-20, 23-16] sot në Mizahir Isma të Rahovecit, ku prizrenasit po luajnë si vendas.
Peja mbylli çerekun e parë dhe të tretë në epërsi dhe hyri në 10-minutëshin final të ndeshjes me pesë pikë epërsi. Por ekipi prizrenas i drejtuar nga Branimir Pavic ndoqi vazhdimisht rezultatin në hap dhe përmes një kosh-fauli të Anton Kazarnovskit, arriti të dalë në epërsi pas shumë kohe në ndeshje 78-77.
Deri në fund, faulime, taktizime, ndërsa një treshe e Avi Toomer bëri 83-81 rezultatin në të mirë të Bashkimit. Shpejt barazuan pejanët me Erdem Ilter, ndërsa në momentin kur rezultati u bë 85-83 për prizrenasit, Henrik Sirko 38 sekonda para fundit nuk arriti të shënojë treshen, njëjtë sikurse edhe Arian Qallaku në sekondën e fundit të lojës.
Me këtë, Bashkimi ka arritur të regjistrojë fitoren e pestë të stinorit në Superligë, duke bërë bilansin 5-3, kurse Peja ka regjistruar vetëm humbjen e dytë të stinorit, pasi që tashmë i është ndalur seria e fitoreve përsëri.
Anton Kazarnovski ka qenë i pandalshëm sonte, duke shënuar 25 pikë, 4 kërcime e 2 asistime në fitoren e rëndësishme të ekipit të tij ndaj liderit. Nga 16 pikë shënuan Avi Toomer (7 asistime, 4 kërcime) dhe Julien Lewis (5 kërcime).
Nga vendasit Valon Bunjaku kreu ndeshjen me tetë pikë, prej të cilave dy treshe, ku gjuajti me precizitet 2/4.
Te Peja u vërejt mungesa e Dardan Berishës në lojë, derisa 21 pikët e Arian Qallakut e 16 të tjera të Henrik Sirkos nuk mjaftuan në fund. Erdem Ilter gjithashtu dha kontribut të madh për ekipin, duke kryer ndeshjen me 14 pikë e 11 asistime, por fitorja s’erdhi.
Pas kësaj ndeshjeje Bashkimi ka bilans 5-3 ndërsa Peja 6-2.