MIQËSORE
Rivalja e Kosovës, mposht Shqipërinë
26 August, 2016 @13:17
Basketbollistët e reprezentacionit të Ukrainës kanë mposhtur në turneun miqësore në Talin të Estonisë, Shqipërinë me rezultat 71-65.
Artem Pustovyi ka qenë basketbollisti më i dalluar i Ukrainës në këtë ndeshje, ku ka shënuar 13 pikë në këtë fitore për ekipin e tij.
Ukraina ia nisi me 24-16, ndërsa në çerekun e dytë e ndali Shqipërinë në 9 pikë, për të ngritur epërsinë në 16 pikë diferencë para fundit të pjesës së parë.
Në të dytën, Shqipëria u mundua mjaft ta kthejë lojën, por gjithçka u kufizua në 71-65 në fund.
Viacheslav Kravtsov shënoi 12, Maxym Korniyenko shtoi 11 të tjera në ekipin ukrainas, derisa te kuqezinjtë që po drejtohen nga qiprioti Antonis Constantinides, Elvisi Dusha dhe Gerti Shima kanë shënuar nga 12 pikë secili.
Ukraina do të jetë mysafire e Kosovës më 3 shtator në duelin e parë të vendit tonë si vendas në kuadër të kualifikimeve për Eurobasket 2017.