MEDIA TALK
Një selektor tjetër i përfolur për Kosovën, nga Polonia
11 January, 2022 @21:53
Më 13 janar do të bëhen saktë tre muaj të plotë prej se Bernard Challandes është shkarkuar nga detyra e tij si selektor i Kosovës, ndërsa FFK ende nuk ka emëruar selektorin e ri të përhershëm.
Në ndeshjet e fundit të Kosovës, kombëtarja u drejtua nga i përkohshmi Primoz Gliha, ndërsa përkundër përfoljeve të ndryshme për aplikime të shumta dhe ish-lojtarëve të njohur dhe trajnerëve me emër për selektor të Kosovës - ende nuk ka asgjë!
Së fundi, kreu i FFK-së Agim Ademi ka mohuar të ketë pasur kontakt me trajnerin polak Jerzy Brzęczek, ku për këtë të fundit mediat e atjeshme kanë thënë se është në bisedime me FFK-në për postin e selektorit!
Sportowe Fakty ka raportuar se trajneri Jerzy Brzęczek është kandidat për selektor të Kosovës dhe është duke pritur vendimin final të autoriteteve të futbollit kosovar.
Ndërkaq kreu i FFK-së Ademi, kontaktuar nga televizioni ATV ka thënë se Brzęczek ka aplikuar për postin e selektorit të Kosovës por nga Federata nuk është biseduar ende me të, e lëre më të bëhet ndonjë marrëveshje.
Brzęczek 50-vjeç ka qenë selektor i Polonisë prej vitit 2018 deri në vitin 2021. Para saj, ai ka drejtuar vetëm skuadrat nga kampionati polak dhe kjo do të ishte aventura e parë e tij jashtë vendit.
Përndryshe, pos Jerzy Brzęczek emrat që janë përfolur për selektor potencial të Kosovës kanë qenë si Marco Van Basten, Felix Magath, Alex Frei dhe disa të tjerë. Kosova tashmë ka mësuar edhe kundërshtarët e grupit në Ligë të Kombeve, për këtë vit - por shenja selektori nuk ka.