KUQ-E-ZI
Salihi mungon
25 March, 2013 @9:16
Sulmuesi shkodran i përfaqësueses shqiptare, Hamdi Salihi, që ekzekutoi mjeshtërisht goditjen që e përmbysi Norvegjinë, do të mungojë në ndeshjen miqësore të Shqipërisë ndaj Lituanisë.
Kështu kanë bërë të ditura sot gazetat sportive shqiptare. Sipas një informacioni të dhënë në Panorama Sport, sulmuesi 29 vjeçar i kombëtares është nisur nga Osloja direkt për në Kinë, te ekipi i tij Jiangsu Sainty.
Për shkak të udhëtimit të gjatë si dhe kalendarit të ngjeshur, ai e kishte të pamundur të ishte në dispozicion edhe për këtë lojë, gjë të cilën trajneri italian, Gianni De Biasi, e cilësoi si të arsyeshme.
Salihi ka shënuar nëntë gola me kombëtaren shqiptare që prej vitit 2008 e deri më sot. Ai së fundmi është transferuar si lojtar i lirë nga liga amerikane, MLS, ku luante për DC United, në Kinë, te ekipi i tij i ri, Jiangsu Sainty, me të cilët fitoi Superkupën e Kinës.
Goli i Salihit ndaj Norvegjisë, ka qenë i pari për të në kualifikimet për “Brazili 2014”.