PORTIER I RI I EKIPIT
Shtatëlarti Ivan Jelic te Prishtina
10 September, 2020 @13:55
Fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, Prishtina, përmes një postimi në llogarinë e ekipit në facebook ka bërë të ditur se ka plotësuar edhe numrin e portierëve në skuadër, pas largimit të njëshit të skuadrës Visar Bekaj në drejtim të kampionit të Shqipërisë, Tiranës.
Bardhekaltërit kanë arritur të huazojnë portierin kroat Ivan Jelic i cili me moshën 22 vjeçare dhe 198 centimetrat e tij pritet të jetë aset i rëndësishëm në mbrojtjen e skuadrës.
Ai ka qenë anëtar i disa skuadrave kroate, ndërsa më e njohura ndër ta RNK Split, kurse së fundi ka mbrojtur portën e ekipit slloven Krsko.
Ndërsa deklarata e parë e tij si lojtar i Prishtinës ka qenë:
“Të jem i sinqert nuk kam menduar ndonjëherë për Prishtinën. Por, me ndihmën e menaxherëve, shumë shpejtë kemi arritur marrëveshjen dhe ja tani ndodhem këtu. Ndjehem jashtëzakonisht mirë që bëhem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Është ky hap i madh në karrierën time”.
“Me të dëgjuar familja për Prishtinën, ishin pak skeptik përshkak “koronës”, por babai menjëherë më tregoi se bëhet fjalë për një klub të madh. Pastaj u interesova më shumë nëpërmjet shokëve dhe që të gjithë njëzëri më sugjeruan që pa hezitim të pranojë këtë sfidë të re dhe jam shumë i kënaqur që tani më ndodhem në mjedisin e ri”.