MESAZH PËR TIFOZËT

BOROZANI/Erdis Driza
Shtriks lëvdon tifozët e Prishtinës dhe Pejës
23 April, 2015 @14:47
Drejtori i Balkan League-së, Shay Shtriks, ka falenderuar në një shkrim special të tijin të botuar në faqen zyrtare të kësaj lige, tifozët e Prishtinës dhe të Pejës për atmosferën e krijuar në ndeshjet e kësaj lige.
“Gjatë karrierës sime 30 vjeçare si refer, 20 prej të cilave ndërkombtare, kam referuar në tërë botën. Vij nga një vend i basketbollit dhe kam referuar ndeshje me 11 mijë, me 3 mijë por edhe me 50 spektatorë. Kam referuar në arenat më të mëdha europiane, por edhe ndër më të voglat. E tash, mund të them se në shumë pak vende ka tifozë kaq korrekt dhe kaq të mëdhenjë siç i kanë Prishtina e Peja,” ka shkruar Shtriks sot.
”Çdo ekip zakonisht shikon të gjejë lojtarin e gjashtë nga banka që mund të bëj dallimin në lojë. Tani definitivisht mund të them se Prishtina e Peja këtë lojtar e kanë më të mirin nga të gjithë - te tifozët e tyre,” vazhdon shkrimi i drejtorit të ligës së parë ndërkombëtare që pranoi Kosovën dhe ekipet e saja në gjirin e saj.
Më tej, ai ka përmendur se sa vështirë ka qenë të mirret një vendim i tillë për ‘të pasi që ka parë se si këto dy tifozëri i gjuajnë karrikat njëra-tjetrës në finalen e Superkupës së dy viteve më parë.
Mirëpo, pas vetëm disa javëve, muajve e xhirove, ai është befasuar se si në ndeshjet e ligës ballkanike këto tifozëri kanë pasur qëndrim tjetër, me fëmijë, gra e burra në palestër, duke brohoritur për ekipin e tyre dhe duke mos iu kundërvuar vendimeve të referëve.
“Shpresoj që në ndeshjet tjera të ligës së Kosovës, tifozët të vazhdojnë me këtë atmosferë të përkrahin ekipin e tyre dhe basketbollin në përgjithësi duke respektuar lojtarët, trajnerët dhe referët. Të bëjmë basketbollin lojën më të mirë të Kosovës dhe t’i tregojmë botës se përkrahja ndaj ekipit tënd të bëhet në mënyrën më të mirë sportive,” ka përfunduar letrën Shtriks drejtuar tifozërive të lartpërmendura kosovare dhe duke i falenderuar ata në fund.