Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA - SUEDIA

S’i bëjmë ballë Suedisë, e nisim me humbje

Foto: FFK

S’i bëjmë ballë Suedisë, e nisim me humbje


28 March, 2021 @22:37

Me humbje ka nisur rruga drejt Botërorit të Katarit për Kosovën!

Kosova sonte u mposht me rezultat 0-3 nga Suedia, që tashmë ka 6 pikë pas dy ndeshjeve të para dhe momentalisht i prin Grupit B.

Çerekfinalisti i Botërorit të vitit 2018 serinë e golave e hapi në minutën e 12’, kur Augustinsson shënoi në portën e zbrazur pas një pakujdesie të Samir Ujkanit, kapitenit të Kosovës.

Pak minuta pas golit të parë, për fatin tonë të mirë, sulmuesi i suedezëve, Isak, gaboi pothuajse me portën e zbrazët pasi e kaloi portierin Ujkani, e kështu disavantazhi i Kosovës mbeti minimal edhe për pak kohë.

Dyfishimi i epërsisë skandineve erdhi pikërisht nga Isak, që shënoi me të majtën në minutën e 35’ për 0-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Rastin më të mirë për Kosovën në pjesën e parë e pati në minutën e 21’ Vedat Muriqi, i cili me të majtën goditi jashtë portës pas një topi të ulur mjaft mirë nga Milot Rashica. Përveç këtij rasti, për t’u përmendur nga kjo pjesë janë edhe një goditje e Muriqit jashtë portës me kokë dhe një gjuajtje mbi portë nga Bersant Celina.

GRUPET KUALIFIKUESE DHE ORARI

Më pas, pjesën e dytë Suedia e menaxhoi mjaft mirë, madje arriti të shënonte edhe një herë përmes futbollistit Sebastian Larsson (70’) nga pika e bardhë, për ta çuar kështu rezultatin në 0-3, që doli të ishte epilogu final i takimit, takim që edhe një herë tjetër shfaqi problemet e fazës defansive te përfaqësuesja e drejtuar nga Bernard Challandes.

Krejt në fund të ndeshjes, Bernard Berisha i Kosovës u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë brenda një kohe shumë të shkurtër, duke qenë se u inkuadrua në lojë në minutën e 83’.

Për t’u përmendur është fakti që Kosova ndeshjen e nisi me shumë mungesa. Amir Rrahmani, Aro Muric, Herolind Shala, Ibrahim Dreshevic dhe Valon Berisha ishin pesë emrat që munguan sonte, mungesa që padyshim ranë në sy gjatë ndeshjes.

Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan si mysafire e Spanjës më 31 mars, kurse Suedia në xhiron e tretë pushon.


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Botëror