FINAL 8 - GAME 3
Sonte: Prishtina-Kalaja
1 March, 2018 @9:17
Fituesi i fundit i Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina, do të nis sonte misionin e mbrojtjes së trofeut, duke zhvilluar duelin e parë të Final 8 ndaj Kalasë së Prizrenit.
Sigal Prishtina ka rivalin më të lehtë në letër, pasi që Kalaja është ekipi i vetëm nga Liga e Parë e Kosovës që ka arritur të futet në tetëshen më të mirë të Kupës.
Mirëpo, në anën tjetër, edhe ekipi prizrenas nuk ka qëndruar në pritje. Ata kanë përforcuar ekipin me disa basketbollistë për t’i rivalizuar sa më shumë Prishtinës, e ndoshta edhe për të befasuar!
Shiko: SKEMA E KUPËS SË KOSOVËS
Dueli Sigal Prishtina - Kalaja zhvillohet sonte me fillim prej orës 17:30 në palestrën “13 qershori” të Suharekës.
DEKLARATAT:
Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi në deklaratën e tij para ndeshjes ka thënë:
“Ne jemi fitues të kupës për edicionin e kaluar dhe të gjithë e dimë se më vështirë është ta mbrosh trofeun se sa ta fitosh atë. E dimë se do të jetë shumë vështirë, por besojmë se me këtë ekip që e kemi do t’ia dalim të plasohemi në finalen e madhe dhe nëse e bëjmë këtë atëherë duam që ta fitojmë sërish trofeun e Kupës”.
Ndërsa në anën tjetër, Somel Shaqiri, kapiten i ekipit të Kalasë e ka pasur parasysh kundërshtarin gjatë deklaratës:
“Shorti ishte i pamëshirshëm për skuadrën tonë, pasi përballë do të kemi skuadrën më të fortë në ligë, mirëpo ne do të përpiqemi të tregojmë basketboll cilësor pavarësisht asaj se luajmë një rang më të ulët se ekipet e tjera që janë pjesë e Final 8”.
Deri tash çerekfinalen e kanë siguruar Rahoveci dhe Ylli, që kanë mposhtur dje kundërshtarët e tyre të parë në Final 8, Kerasanin respektivisht Borean.
Dueli i fundit i ditës së sotme është superderbi i Final 8, Bashkimi-Trepça, që nis në ora 19:45.