PARA FINALEVE
Sot te femrat e meshkujt, finalet Peja - Prishtina
Teksti: FBK
19 February, 2017 @11:34
Sot në palestrën “Minatori” të Mitrovicës do të zhvillohen dy finalet e Kupës së Kosovës në basketboll.
Me fillim nga ora 16:30 do të luhet finalja në konkurrencën e femrave, ku takohen Penza nga Peja dhe Penti Prishtina. Skuadra pejane është fituese e Kupës për edicionin paraprak.
Finalja e meshkujve do të zhvillohet duke filluar nga ora 19:30 dhe do të përballen Sigal Prishtina – Peja.
Në gjysmëfinale Sigal Prishtina ishte më e mirë se Trepça, kurse Peja triumfoi ndaj Bashkimit.
Finalja e madhe pritet të sjell basketboll cilësor, ku padyshim se akterët e ndeshjes do të përkujdesen që të gjithë adhuruesit e basketbollit të kënaqen me lojën që ata do ta shfaqin në parket.
Sigal Prishtina dhe Peja janë takuar edhe në finalen e në edicionit të kaluar të Kupës së Kosovës që është luajtur në kryeqytet, ku fitore vetëm në sekondat e fundit patën shënuar bardhekaltrit.
Pikërisht kjo është një tjetër arsye që na shtynë të besojmë se do të kemi rastin të shohim rivalitet të madh dhe luftë të madhe për çdo topë.
Peja që nga viti 1991 e deri më 2016 i ka fituar gjithsej 5 trofe të Kupës, kurse Sigal Prishtina ka arritur që 11 herë të stoliset me këtë trofe.
Ndërkaq në konkurrencën e femrave që nga paslufta është skuadra e Prishtinës (ish-Universiteti) që ka rrëmbyer më së shumti trofe të Kupës. Prishtinaset kanë arritur që 8 herë të stolisen me Kupë, kurse Penza e ka bërë një gjë të tillë 6 herë.