LIRIA FALË PORTIERIT, MERR PIKËN E PARË NË PRANVERË!

Foto: KFFusheKosova/ fb
Stivi Frashëri shpëton Lirinë nga humbja e radhës
25 February, 2024 @19:23
Liria ka fituar pikën e parë pas nëntë xhirosh në Superligë, ndërsa më meritori për këtë arritje të ekipit prizrenas që vazhdon të mbetet me një fitore të vetme pas 22 xhirove në Superligë ka qenë portieri i ardhur në janar në ekip, Stivi Frashëri. Borozani.com
Korçari me përvojë është treguar vendimtar në ndeshje, pasi që në momentet e fundit të duelit ka dalë para Dorent Hajdarit të Fushë Kosovës, duke ia mbrojtur penalltinë. Frashëri edhe në xhiron e kaluar mbrojti dy penallti për Lirinë, kur Dukagjini e mposhti ekipin prizrenas në kohën shtesë të ndeshjes.
E Fushë Kosova fitoi penalltinë pas rishikimit të një situate në VAR. Por Frashëri siç bëri edhe gjatë ndeshjes duke pritur dy raste që ishin gati të përfundonin në gol, shpëtoi Lirinë dhe i siguroi pikën e parë trajnerit Ali Gunes në Superligë, për përfundimtaren: Liria 0-0 Fushë Kosova.
Sa i përket lojës, Fushë Kosova tregohej më konkrete në kërkim të golit dhe shfrytëzonte gjithçka që i lejonte Liria, pos golit! Prizrenasit në anën tjetër, dy-tre mundësi jokonkrete nga tollovia dhe një goditje e mirë e mbrojtur në mënyrë maestrale nga italiani në portën e “pampurëve” Davide Borselline.
Dy ekipet që po i shterin gjasat për mbijetesë dhe i kanë mbetur tashmë ato që shkojnë më shumë kah teoria, me nga një pikë - nuk kanë qenë të kënaqura në fund të ndeshjes!