YLLI - BASHKIMI

BOROZANI/Arkiv
Super Taylor Bessick, Ylli mposht Bashkimin
20 October, 2017 @20:48
Në takimin hapës të xhiros së katërt në Superligën e Kosovës në basketboll, skuadra e Yllit arriti ta mposhtë skuadrën e Bashkimit, për ta shënuar kështu fitoren e tretë sivjet.
Çereku i parë i takoi Yllit, me rezultatin që shënonte 24-15 pas 10 minutave lojë, mirëpo ishte çereku i dytë ai në të cilin mysafirët u treguan më dominantë dhe pjesën e parë e mbyllën me epërsi 33-40.
Gjithsesi, gjërat ndryshuan dukshëm në pjesën e dytë të ndeshjes. Me të filluar çereku i tretë, vendasit aplikuan mbrojtje më të mirë dhe sulm efikas, për të shënuar kështu plot 35 pikë në këtë çerek, ndërsa pranuan 21. Kështu, Ylli hyri në çerekun e katërt me epërsi, e kjo epërsi u rrit edhe më tepër dhe takimi u mbyll me rezultatin final 92-80 në të mirë të Yllit. Duhet përmendur që Bashkimi në 5 minutat e parë të çerekut të fundit shënoi vetëm 1 pikë, duke i mundësuar therandasve që ta rrisin epërsinë në anën tjetër, e më pas fitorja për prizrenasit u bë e paarritshme dhe ndeshjen e mbyllën me humbje.
Rol në këtë humbje të Bashkimit padyshim që luajti edhe numri i madh i tentimeve të pasakta për 3 pikë. Bashkimi sonte tentoi 35 herë për 3 pikë, e përqindja e saktësisë nga ky aspekt i lojës ishte 42%.
Më i dalluari te skuadra e Yllit ishte Taylor Bessick me 35 pikë e 19 kërcime, derisa te Bashkimi sonte u veçua Samir Zekiqi me 27 pikë, 4 kërcime e 1 asistim. Pikë dyshifrore shënuan edhe Motley, Gruev e Samadan, mirëpo gjithsesi takimi u mbyll me disfatë.
Pas 4 xhirove, Ylli ka 3 fitore e 1 humbje, derisa Bashkimi 2 fitore e 2 humbje.