PAS NDESHJES
Takianos tregon arsyet e humbjes
5 May, 2021 @0:04
Trajneri grek i Rahovecit, Fotis Takianos, ka treguar arsyet e humbjes së ekipit të tij në ndeshjen e fundit dhe vendimtare të serisë gjysmëfinale të PlayOffit ndaj Golden Eagle Yllit.
“Ekipit tonë si duket iu harxhua energjia pas gjithë atyre ndeshjeve të zhvilluara. Pas gjithë këtyre ndeshjeve, trupat dhe mendja e lojtarëve ranë nga koncentrimi që është vendimtar në këtë nivel të ndeshjeve dhe duhen për fitore,” ka thënë Takianos pas ndeshjes.
“Sa vazhdonte ndeshja, koncentrimi edhe më shumë binte, ndërsa në momente kur sadopak krijonim, mirreshin vendime jo të mira derisa kishim raste për shënim të lehtë,” ka shtuar ai.
Takianos ka falenderuar nga Bordi e deri te secili qytetar i Rahovecit për përkrahjen e dhënë ndaj tij, ndërsa ka thënë se një mikpritje e tillë është vështirë të gjendet në rajon.
Më tej ai ka shtuar se tash është koha për relaks dhe për të qetësuar kokat, derisa e ardhmja e tij do të vendoset pas bisedemeve në ditët në vijim me kryesinë e klubit të vreshtarëve.