ARBËR HOXHA
Të fokusuar plotësisht për Spanjën
21 June, 2024 @15:47
Futbollisti i Shqipërisë, Arbër Hoxha është shprehur të jetë optimist para ndeshjes së fundit të fazës grupore për kuqezinjtë. Shqipëria për herë të parë do të jetë “vendase” në ndeshje të grupit, ndërsa luan ndaj Spanjës në Dusseldorf.
Spanja me fitore ndaj Italisë dhe Kroacisë, veçse ka siguruar kualifikimim në të tetën e finales së EUROs, ndërsa Shqipërisë i duhet fitorja ndaj spanjollëve për të shpresuar tutje.
E Hoxha, që tregoi veten në përballje ndaj Kroacisë ku Shqipëria mori pikën e parë në EURO 2024 dhe mbajti gjallë shpresat për të kaluar tutje, tashmë ka thënë se ekipi nuk bën assesi të dorëzohet në këtë duel.
ORARI I TË GJITHA NDESHJEVE DHE TABELAT
“Me Kroacinë u futëm ndryshe në fushë, shënuam gol, pastaj pësuam dy herë, por nuk u dorëzuam. Tani jemi të fokusuar vetëm te Spanja, që është e jashtëzakonshme. Ne na duhet vetëm fitorja për tu kualifikuar,” ka thënë sulmuesi Arbër Hoxha, që është lojtar i Dinamo Zagrebit.
Shqipëria është e treta në renditjen e Grupit B, me Spanjën lidere me 6 pikë të kualifikuar tashmë, ndërsa Italia e dyta ka 3 pikë. Kroacia e fundit në grup, ka pikë sa Shqipëria, por me goldallim më të dobët.
Shqipëria-Spanja luhet më 24 qershor me fillim prej orës 21:00, ndërsa “Dusseldorf Arena” pritet të jetë e mbushur me kuqezi gjithandej.