KOLUMNE

Pamje nga ndeshja Kosova 81-91 Sllovenia/ Fotografitë: FIBA.com
Thyerja e çerekut të katërt
Shkruan: Blerim MYFTIU
11 September, 2016 @10:55
Rezistenca e përfaqësueses së Kosovës ndaj kundërshtarëve shkon duke u shtuar nga loja në lojë. Derisa Ukraina na iku nga dora, loja e pjesës së parë kundër Bullgarisë në Botevgrad na kishte dhënë shpresë për fitore eventuale ndaj kundërshtarit më të dobët në grup. Të shtunën mbrëma ishim nikoqirë të kundërshtarit më të fortë dhe arritëm të luajmë kokë më kokë me të, së paku një 30-minutësh.
Sllovenia filloi duke e përdorur Gašper Vidmarin nën kosh dhe arriti që pikët e para t’i gjejë në këtë mënyrë. Por, shumë shpejt, me Fisnik Rugovën, i cili mbahet nga ndeshja në ndeshje më mirë me qendrat më të gjatë dhe më të gjerë se ai, arritëm shumë shpejt ta neutralizonim diferencën në trapez. Pika më e përmirësuar e jona nga tri ndeshjet e kaluara ishte preciziteti i lartë në shënimet për dy dhe veçmas për tri pikë. Me nga dy treshe të Dardan Berishës dhe të Justin Doellmanit arritëm që çerekun e parë ta përmbyllim me 21:17 epërsi.
Ndeshjen e filluam me organizimin e lojës nga Dardan Berisha, jo nga Jaren Sina. Përshtypja ime është se nën organizimin e këtij të parit patëm rrjedhje dhe rrotullim më të mirë të topit në sulm, prandaj edhe gjetëm më tepër hapësirë për të gjuajtur. Rrjedhimisht, edhe pozita 1 na paraqitet si njëra ku kemi mungesë të madhe. Sina jep shpesh shenja të një organizatori të pamjaftueshëm, të cilit i mungon kreativiteti dhe orientimi i duhur bashkëlojtarëve. Kurse, për pozitën 2 i mungon preciziteti dhe depërtueshmëria e nevojshme. Leonard Mekaj paraqitet i dobishëm për minutat që i jep pushim Sinës. Është luftarak, i shpejtë, por nuk mund të llogaritësh në pikët e tij, ngase rrallë e shikon koshin. Kurse, Ahmetbasići mbetet mister ngase përdoret shumë pak.
Arritëm që edhe gjatë çerekut të dytë ta mbanim hapin. Arritëm epërsinë më të lartë prej 25:17, por ky çerek kaloi në dyluftimin e tresheve. Sina, Fisnik Rugova dhe Doellman qenë të sigurt në anën tonë, por më shumë se gjysmën e pikëve të sllovenëve në këtë pjesë i shënoi Klemen Prepelič, i cili ishte edhe më efikasi i mysafirëve në fund me 27 pikë të shënuara (5/9 për tre, 4/5 për dy). Në pushim u shkua me epërsinë tonë, 41:38.
Në çerekun e tretë filloi të bie efikasiteti ynë i shënimeve nga loja. Doellmani i cili mendoj se e luajti ndeshjen më të mirë, e mbajti hapin deri diku duke qenë në fund më efikasi me 30 pikë. Sllovenët krijuan dallimin me lojtarët e shkurtër kështu që Prepeliči, Blažiči, Klobučari dhe Laporniku me dy treshe të shënuara ndikuan që çereku të mbyllet me 9 pikë epërsi për sllovenët dhe 6 në total, 62:68. Kur ky efikasitet i lojtarëve të jashtëm u kombinua me rrotullimin shumë të shpejtë të topit në sulm në çerekun e katërt dhe rikthimin e dominimit të Vidmarit nën kosh (që arriti të shënonte 20 pikë në fund), dallimi ishte i pashmangshëm dhe shkoi deri në -21 pikë në një çast.
Shpjegimi për rënien e vijës sonë të jashtme mund të jetë edhe lodhja fizike, ngase në këtë ndeshje kishim shumë më pak zëvendësime. Derisa Berisha arriti që të arrijë në 16 pikë, Drilon Hajrizi ishte larg pritjeve. Edmond Azemi u mundua në mbrojtje, por nuk kishte kontribut në sulm, kurse Granit Rugova u paraqit shumë pak. Fisnik Rugova qëndroi më gjatë në bankë, edhe pse nuk kishte probleme me gabime personale, por Gazmend Sinani nuk arriti që ta zëvendësojë në asnjë çast. Duket se ai është një zëvendësim i zorit, ngase për pozitën e tij mbeti shumë më i ulët dhe më i ngushtë krahasuar me Vidmarin dhe Omićin. Ndoshta Alban Veseli do të duhej të përdorej më shpesh për ta pushuar Doellmanin dhe eventualisht Fisnik Rugovën.
Duhet të ceket medoemos sjellja e pakuptimtë dhe primitive e tifozëve që linin përshtypjen se i takojnë Torcidës së Trepçës dhe Shqiponjave të Pejës. Nuk lanë ofendim pa i bërë lojtarit mitrovicas, Drilon Hajrizit, i cili para disa ditësh nënshkroi për Sigal Prishtinën. Sikur ky Hajrizi të mos kishte djersitur dhe sjellë fitore të panumërta dhe gëzim të pakufizuar tifozëve të këtyre qyteteve, por i cili përnjëherë na qenkësh bërë “tradhtar” për shkak se paska kaluar në një klub tjetër kosovar me të cilin do të na dhurojë po aq fitore dhe gëzime në të ardhmen. Dhe sikur ky Hajrizi të mos e kishte përfaqësuar sonte Kosovën, shtetin tonë të përbashkët të mitrovicasve, pejanëve dhe të prishtinasve!