TEAM OF THE WEEK 16
TOP 5-shja e javës në Superligë (XVI)
29 January, 2019 @19:32
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros XVI të Superligës së Kosovës në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtarëve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Mike Martin (Bashkimi), Clayton Everett (Ylli), Ujkan Karanezi (Bashkimi), Garrius Holloman (Ylli) dhe Ergin Grosha (Prizreni).
Mike Martin e Ujkan Karanezi, ishin më të dalluarit te Bashkimi kundër Rahovecit. Martin ishte koshashënuesi më i mirë me 21 pikë, kurse Karanezi shënoi 17 pikë dhe i rrëmbeu 7 kërcime, derisa ishte i saktë 75% nga vija e treshit duke shënuar 3 herë nga 4 tentimet që i bëri.
Në pesëshen e javës janë edhe dy lojtarë nga Ylli, Clayton Everett dhe Garrius Holloman.
Everett në një ndeshje të vështirë si mysafirë te palestra e Minatorit, ishte shumë afër shifrave magjike triple-double kundër Trepçës. Ai luajti me 23 pikë, 12 kërcime e 8 asistime, ndërsa Holloman në ndeshjen e dytë të tij në Superligë, bëri double-double prej 12 pikëve e 18 kërcimeve. Garrius gjithashtu luajti me 5 asistime.
Një tjetër double-double erdhi nga qendra e Prizrenit, Ergin Grosha, i cili luajti me 18 pikë e 11 kërcime, për ta përmbyllur pesëshen e përzgjedhur për këtë xhiro.