EKSKLUZIVE

Dritëro Sefaja, trajner i Kerasan Prishtinës/ Foto: KBPrishtina/Facebook
Trajneri i Kerasanit tregon çelësin e fitores
26 October, 2017 @13:35
Kerasan Prishtina ka arritur një fitore të madhe dje në Gjakovë, duke e mposhtur Rahovecin në duelin e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trajneri i ekipit të Kerasanit, Dritëro Sefaja, ka thënë se ekipi ishte përgatitur mirë në fillim që të ndalë Rahovecin.
“Jemi koncentruar në pikat kyqe ku kemi mendura se do të mund të ndalim Rahovecin dhe qysh mundemi ta luajmë lojën tonë, derisa ata të mos ikin në rezultat,” ka thënë Sefaja në një bisedë me Borozani.com pas ndeshjes.
Rahoveci na theu mbrojtjen në çerekun e tretë - SEFAJA
Në ndeshjen ku Rahoveci nuk kaloi asnjëherë mbi 11 pikë epërsi, Sefaja ka treguar se në fillim të ndeshjes me zëvendësime të shpeshta mbante ekipin e freskët për të dalë në epërsi në atë të dytin.
“Pas kësaj në çerekun e tretë Rahoveci na theu mbrojtjen dhe krijoi epërsi mbi 10 pikë. Por në çerekun e katërt gjatë bisedës me lojtarët erdhëm në përfundim që të luajmë lojën shumë të shpejt. Ta kontrollojmë na tempon e ndeshjes dhe jo rivalët. Kështu hymë në seri dhe shënuam 41 pikë në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes për ta fituar atë,” ka shtuar Sefaja.
Rahoveci në anën tjetër ka basketbollistë të huaj në ekip dhe lojtarë me përvojë nga kampionati vendor.
Humbja ndaj Boreas na forcoi - SEFAJA
“Ka mundur edhe Rahoveci që lehtë ta fitojë ndeshjen, por koncentrimi më i lartë ishte te ne, prandaj nuk është ndonjë mrekulli kjo fitore,” ka bërë të ditur Sefaja, duke shtuar, “më duket se fakti që ne kemi humbur nga Borea e Rahoveci ka mposhtur Pejën ka ndikuar këtu, pasi që ne kemi qenë në stres e ata janë çliruar.”
Kerasani me këtë fitore ka ngritur bilancin në 2 fitore e 3 humbje në Superligë pas 5 ndeshjeve të para të Superligës, gjë që më parë nuk ka ndodhur, pasi që ekipi nga Prishtina prej se ka ardhur në Superligë, zakonisht ka fituar ekipet e parafundit të klasifikimit dhe me ndeshje PlayOuti ka siguruar Superligën.
Një ekip, 5 lojtarë duke bashkëpunuar tërë kohën është çelësi i fitores - SEFAJA
“Meritat i takojnë djemve të skuadrës. Ata kanë luftuar bashkë prej fillimit deri në fund të ndeshjes. Çelës i fitores i ka qenë se në parket ka qenë një Kerasan dhe 5 lojtarë duke bashkëpunuar tërë kohën,” ka vlerësuar Sefaja.
Sa i përket ndeshjeve në vazhdim, trajneri i ekipit të Kerasanit ka bërë të ditur se për skuadrën e tij gjithmonë me rëndësi është loja e mirë dhe synim i ekipit nuk është as mbijetesa as Play-Offi, por loja.
“Stinori është i gjatë, ka 28 ndeshje në total. Ne, secilën lojë po e marrim veçmas dhe mundohemi ta japim maksimumin,” ka përfuduar bisedën me Borozani.com trajneri Sefaja.