Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MË NË FUND FITOJNË!

Trajneri i ri, debuton me fitore te Kika

Foto: KFKika

Trajneri i ri, debuton me fitore te Kika


Teksti: 2korriku.com

22 October, 2023 @18:20

Kamenica sot ishte nikoqire e një prej ndeshjeve të “futbollit”, që thënë të drejtën e ktheu në kohë futbollin vendor, sidomos për nga cilësia e terrenit ku u zhvillua përballja, me një fushë që ishte jashtëzakonisht e fortë dhe që nuk ofronte as kushtet elementare që të tregoheshin cilësitë e futbollistëve, e madje më shumë të jepte përshtypje se është pjesë e ndonjë ‘shkretëtire’.

Pa dyshim se një hapje e tillë e këtij raporti mund të duket edhe si tendencioze, por ata që ishin të pranishëm sot në stadiumin e ekipit “hogoshtas” e dinë se të gjitha këto ishin më se të vërteta, madje të gjithë mund të pajtohen se gjëja e vetme e mirë e kësaj ndeshje ishte fakti se asnjë futbollist nuk u lëndua, gjithnjë duke e pasur në mendje se ndeshje në kushte të tilla mund të jenë fatale për ta.

Sidoqoftë, me të gjitha vështirësitë, në Kamenicë sot, Kika e 2 Korriku matën forcat, me nevojë të madhe për pikë, por për fat të keq me pak dëshirë për lojë- gjë kjo e “dirigjuar” nga kushtet e ofruara.

Kika si vendëse sot ndeshjen e nisi më mirë, pas pak minutave lojë Emini goditi fuqishëm nga goditja e lirë, por portieri Ajeti e priti me shumë mund.

Pak çaste nga ky rast, në sulm u shfaqë edhe 2 Korriku; në tollovinë e krijuar zonën vendëse, Salihu me shumë fat pa veten në rast për të shënuar, por goditja e tij u ndalë në pingulen e djathtë të portierit Kastrati.

Pjesa e parë thënë të drejtën i takoi ekipit mysafir, gjë që u pa sidomos edhe nga rastet, kur shumë lehtë ndeshja mund të merrte kah tjetër sikur goditjet e Avdiut e Latifit të ishin pakëz më të sakta dhe jo të përfundonin të pritura nga portieri Kastrati, respektivisht të dilnin jashtë kuadratit të portës.

Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte pak më ndryshe; dëshirë më e madhe për fitore u pa tek vendësit, por të njëjtit nuk është se treguan shumë. Më i rrezikshëm sërish u tregua 2 Korriku, por pa konkretizim; madje nuk ndihmuan as sulmuesit Duraku e Gashi të inkuadruar në pjesën e dytë të kësaj pjesëloje.

Mos-konkretizimin e mysafirëve e shfrytëzoi më së miri ekipi nikoqir, me Ferreiran që harkimin fantastik të një prej më të dalluarëve të Kikës, Art Ramadanit, e shndërroi në gol me goditje të fuqishme nga brenda zonës.

Pas golit, ndeshja nuk dhuroi asgjë, përveç vonesave të panevojshme të lojës nga futbollistët vendës, të cilët me dëshirën e madhe për fitore tentonin secilën mënyrë për të fituar sekonda, gjëra këto që në fund iu rezultuan me sukses, duke fituar tri pikë të mëdha.

E sa i përket kushteve, ky raport nuk mund të mbyllet asesi pa u rikthyer tek ajo pjesë. KF 2 Korriku sot ndihet shumë falënderues që ndeshja përfundoi pa as edhe një lëndim, teksa ekipit të KF Kika dhe çdo ekipi tjetër që mund të ketë probleme të tilla, sidomos me fushat e futbollit, ju uron që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje, sepse futbolli kështu nuk mund të ecë përpara dhe futbollistët gjithnjë do të jenë të ekspozuar para kushteve që mund të sjellin dëmtime fatale për ta.

-

Viva Fresh Liga e Parë; Java IX

Kika – 2 Korriku 1:0

Golashënues: Ferreira 70’

Gjyqtarët e ndeshjes: Qendrim Vata, Bedri Beshiri, Leotrim Azemi

Delegati e ndeshjes: Naser Bunjaku nga Gjilani

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Erduan Baliqi nga Mitrovica

Formacioni startues i Kikës: Dorart Kastrati, Blerti Rashiti, Ardian Mustafa, Blendi Jakupi, Premton Isufi, Benet Spahiu, Uvejs Bunjaku, Besfort Emini, Gentian Binishi, Ismet Hamdi, Arti Ramadani. Kryetrajner: Mergim Kastrati.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Abit Salihu, Agron Beqiri, Ylli Prekopuca, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Gneilepkan M. Camara, Londrit Hamidi, Miftar Avdiu, Granit Latifi. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Ideal Abdullahu, Shqiprim Kelmendi, Enes Duraku, Ardit Gashi.

Munguan për arsye dëmtimi: Albert Stublla, Redon Bejta, Riad Jashari.

-

Pas 9 ndeshjeve, Kika e fundit në renditje ka 6 pikë, ndërsa 2 Korriku i pesti, është me 12 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë