PARA DUELIT TË PARË PRANVEROR

Tre mungesa, por Dukagjini është gati për duelin ndaj kampionit
6 February, 2025 @20:41
Dukagjini është gati! Së paku kështu ka njoftuar ekipi para disa çastesh, një ditë para fillimit të pjesës pranverore të stinorit, derisa ekipi i Ismet Munishit do t’i vihet përballë kampionit aktual, FC Ballkani.
KF Dukagjini ka bërë të ditur se të gjithë përforcimet e janarit janë në dispozicion, ndërkaq mungojnë Besir Iseni, Vladyslav Khomutov dhe Ebrima Jatta. Dy të parët për shkak se po ballafaqohen me lëndime.
E Ismet Munishi, ka bërë gati listën e lojtarëve për përballjen që nis nesër në mesditë dhe te të ftuarit janë: Altik Muhaxhiri, Cyrus Margono, Altin Mërlaku, Granit Elezaj, Elton Basri, Hekuran Berisha, Albion Pllana, Egzon Sinani, Adonis Krasniqi, Erlis Xhemajli, Dardan Morina, Mërgim Pefqeli, Tun Bardhoku, Faton Neziri, Etienne Tare, Elan Raci, Dienit Isufi, Vitor Hugo, Met Millaku, Leart Emini, Lendrit Palucaj, Vlerson Berisha dhe Roland Myrtaj.
Ballkani - Dukagjini nis nesër prej orës 12:00 në Suharekë. Ballkani ka kryer vjeshtën në pozitë të dytë me 33 pikë, 7 më pak se liderja Drita. Dukagjini në pozitë të shtatë ka 21 pikë nga 18 ndeshje.
Në dy duelet e vjeshtës në kuadër të Superligës, Ballkani kishte fituar Dukagjinin 2-0 në Suharekë, ndërsa në Klinë, dueli kishte përfunduar Dukagjini - Ballkani 0-0. Braziliani Queven Inacio kishte shënuar dy golat në fitoren e kampionit të drejtuar atëherë nga Ilir Daja, që tashmë ka timonier Orges Shehin.