REFORMAT
UEFA e konfirmon: Në 2018-ën, Italia me 4 klube në Champions
23 March, 2017 @15:11
UEFA konfirmoi zyrtarisht ndryshimet që do të bëhen përsa i përket mënyrës se si do të përzgjidhen pjesëmarrësit e Champions League dhe Europa League për sezonet 2018/19, 2019/20 dhe 2020/21.
Ndryshimi kryesor është se tashmë jo 3, por 4 ligat më të forta do të përfaqësohen me nga 4 klube. Duke parë renditjen aktuale, Franca, aktualisht e pesta, e ka të pamundur ta kapë vendin e katërt deri në vitin 2018, që do të thotë se Spanja, Gjermania, Anglia dhe Italia do të përfaqësohen me nga 4 klube, të paktën për sezonin 2018/19.
Ndryshim tjetër i rëndësishëm është se vendet e katërta të këtyre 4 ligave do të shmangin fazën play-off dhe të kualifikohen direkt në fazën e grupeve. Gjithashtu edhe fituesi i Europa Leagues do ta shmangë fazën play-off dhe do të kualifikohet edhe ajo për fazën me grupe.
Ndër të tjera do të ketë ndryshime edhe tek mënyra se si shpërndahen të ardhurat mes klubeve dhe në llogaritjen e koeficientëve, kur do të luajë rol edhe historiku i klubeve në këto gara.
Të pandrushuara do të mbeten formatet aktuale të këtyre dy garave. Champions League dhe Europa League do të vazhdojnë të kenë respektivisht 32 dhe 48 pjesëmarrës.