U21
Shpresat mbajnë stërvitjen e parë në Irlandë
Teksti: FFK
22 March, 2017 @21:41
Ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës U21 ka mbërritur sot në mesditë në Dublin pas një udhëtimi prej më shumë se pesë orësh dhe është akomoduar në hotelin “Maldron”.
Ndërkohë në orët e pasdites është mbajtur një seancë e lehtë stërvitore nën reshjet e shiut dhe temperatura dukshëm më të ulëta në krahasim me ato në Kosovë.
Megjithatë, përkundër lodhjes nga udhëtimi tek djelmoshat e Përfaqësueses U21 u pa një entuziazëm dhe vullnet i madh për punë, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për sfidën e së shtunës kundër Irlandës. Gëzon fakti se gjendja e futbollistëve është e mirë dhe asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime gjatë tri stërvitjeve të mbajtura deri më tash që nga grumbullimi në Prishtinë.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi pas stërvitjes së sotme u shpreh i kënaqur pikësëpari me disiplinën e futbollistëve, por edhe me vullnetin dhe dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin në stërvitje.
“Djemtë e kanë kuptuar rëndësinë e të qenurit pjesë e Përfaqësueses. Disiplina e tyre është për lakmi, e po ashtu edhe vullneti dhe angazhimi i tyre për punë në stërvitjet e deritashme ka qenë në nivelin e duhur. Stërvitja e sotme ishte e lehtë, pasi nuk kemi dashur t’i ngarkojmë më shumë futbollistët pas atij udhëtimi të gjatë, por thjeshtë ka shërbyer për t’u përshtatur me klimën e këtushme dhe për një regjenerim. Deri te ndeshja me Irlandën do t’i kemi edhe dy stërvitje dhe do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur”, ka theksuar Prekazi.