GJILANI - ULPIANA

Ulpiana befason Gjilanin për të marrë fitoren e parë të stinorit
19 September, 2021 @18:15
Derisa Gjilani shpresonte të arrijë fitoren e dytë të stinorit ndaj Ulpianës sot si vendas, ka ardhur befasia në Gjilan.
Kanë qenë futbollistët që iu rikthyen pas gati dy dekadave Superligës për ta njoftuar Gjilanin me humbjen e parë të stinorit në Superligë, duke i mposhtur krejt në fund, në një goleadë prej 2-3 [Besar Musolli 48, Fiton Hajdari 86 - Marclei Santos 50, 69, Trimor Selimi 90+9].
Derisa në pjesë të parë skuadrat matën njëra-tjetrën me raste të mira, por të pakta, në pjesë të dytë nisi goleada.
Besar Musolli i dha epërsinë Gjilanit që në minutën e tretë të pjesës së dytë. Shpejt mysafirët barazuan përmes brazilianit Marclei Santos (50). Ky i fundit çoi mysafirët në epërsi pas penalltisë së përsëritur për t’ia dhënë epërsinë e parë në ndeshje mysafirëve 1-2 (69).
Gjilani iu sul portës së Ulpianës pas kësaj, derisa gjeti golin. E golin e arriti përmes Fiton Hajdarit katër minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes për 2-2.
Referi sinjalizoi dhjetë minuta shtesë për shkak të ndërprerjejeve të shumta gjatë ndeshjes. Dhe këtë e shfrytëzuan mysafirët. Ka qenë sulmuesi Trimor Selimi që shënoi për të lënë në befasi tërë gjilanasit, duke i sjellë fitoren e parë në Superligë ekipit të tij, me përfundimtaren 2-3 (90+9).
Me fitore Ulpiana është ngritur nga fundi i renditjes në pozitën e tetë të tabelës. Ndërsa Gjilani ka mbetur në gjashtë pikë dhe gjindet në mes të klasifikimit.