KEVIN BROWN dhe TRAE ANDERSON
Ylli shton 2 të huaj në skuadër
10 January, 2017 @22:46
Vetëm disa ditë pasi që iu largua lojtari më i dalluar i ekipit gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit, Urim Zenelaj, ndërsa sot u zyrtarizua te Rahoveci edhe organizatori i dalluar, Altin Morina, ekipi i Yllit të Suharekës mësohet se ka arritur marrëveshje me dy basketbollistë amerikanë.
Zyrtarë të klubit suharekas kanë bërë të ditur për Borozani.com se kanë arritur marrëveshje me playmakerin Kevin Brown dhe alon Trae Anderson.
Brown së fundi ka qenë pjesë e ekipit elit boshnjak, Siroki. Ai është 190 centimetra i gjatë dhe 25 vjeç. Në ekipin boshnjak ai ka pasur mesatare prej 10.2 pikëve për ndeshje, 2.1 asistimeve dhe 2.8 kërcimeve.
Mediat boshnjake kanë bërë të ditur se Brown është larguar nga Siroki për shkak se ka qenë i pakënaqur me statusin e tij në ekipin e Sirokit.
Para Sirokit, Brown ka qenë pjesë e Zrinjskit.
Në anën tjetër, aloja Trae Anderson do të kalojë për herë të parë oqeanin Atlantik dhe do të zbarkojë në Suharekë.
Ai është 196 centimetra i gjatë dhe peshon 107 kilogramë. Së fundi ka qenë pjesë e ekipit Eastern Illinois University Panthers në NCAA1.
Në stinorin 2015/16 Anderson ka zhvilluar 30 ndeshje për këtë ekip dhe ka pasur mesatare prej 23.7 minutash për ndeshje aty. Ndërsa ka realizuar 14.7 pikë për ndeshje, 1.8 asistime dhe 5.2 kërcime për ndeshje.
Ylli është aktualisht në vend të pestë të Superligës me bilanc 6-8 nga 14 ndeshje të zhvilluara në vjeshtë.
Ekipi suharekas do të provojë me tërë fuqinë që ka që të befasojë ndonjërën nga skuadrat e katërshes së madhe për të shpresuar në Play-Off të Superligës.
Ylli do t’ia nis pjesës së dytë të stinorit në Superligë në derbi ndaj Pejës. Ndeshja do të zhvillohet në “13 qershori” të Suharekës, ndërsa pritet të luhet brenda datave 21-22 janar 2017.
Dyshja në fjalë pritet të arrijnë në Kosovë më 15 janar 2017.