Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA TAKIMI TREPALËSH : : : MINISTRIA - FEDERATA - KOMUNAT

“30 stadiume për 5 vjet”

Foto: MKRS/fb

“30 stadiume për 5 vjet”


13 February, 2023 @22:31

Derisa numri më i madh i stadiumeve të Kosovës, përfshirë shtatë qytetet e mëdha, kanë gjendje jo të mirë të stadiumeve, në një takim në MKRS ku Ministri përkatës Hajrulla Çeku priti kreun e FFK-së dhe kryetarë të disa komunave është thënë se po bashkohen forcat për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.

“Po i bashkojmë forcat për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë. Planin investiv pesë vjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë, e shpalosëm sot bashkë me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, para disa kryetarëve të komunave të Kosovës. Disktuam për mundësitë e zbatimit të përbashkët të këtij programi investiv dhe morëm zotim që të vazhdojmë me marrëveshje të bashkëpunimit mes MKRS, FFK dhe komunave përkatëse. Për të realizuar këtë plan që parasheh përmbyllje të projekteve aktuale, renovime dhe stadiume të reja futbolli, kemi pranuar zotim për mbështetje financiare dhe profesionale edhe nga FIFA dhe UEFA,” ka shkruar në llogarinë e tij zyrtare Ministri Çeku.

Meeting

Kujtojmë, stadiumi në Mitrovicë Adem Jashari është në gjendje të mjerushme, ai i Ferizajit Ismet Shabani tërësisht i lënë pas dore, Prishtina nuk po luan në Fadil Vokrri për ta kursyer për ndeshjet e kombëtares së Kosovës, etj.

Ndërkaq zv/ministrja e MKRS Daulina Osmani në profilin e saj duke shpërndarë momentet e takimit ka shkruar: “Projekti i infrastrukturës së futbollit, drejt jetësimit. Për 5 vite, 30 stadiume në komuna të ndryshme të Kosovës.”

Të njëjtën, përmes një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur edhe FFK-ja, duke përmendur edhe krerët e futbollit evropian e botëror.

“Plani investiv pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë është shpalosur sot bashkërisht nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në takim me disa prej kryetarëve të komunave të vendit. Gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua në selinë e MKRS-së, u disktuan mundësitë e zbatimit të përbashkët të këtij programi investiv. Me këtë rast palët u dakorduan që vazhdohet bashkëpunimi ndërmjet MKRS-së, FFK-së dhe Komunave, që për qëllim ka përmirësimin e kushteve të infrastrukturës së futbollit. Ky plan investiv javë më parë është prezantuar nga presidenti Ademi dhe ministri Çeku edhe në takimet me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino dhe atë të UEFA-s, Aleksandër Çeferin. Krerët e këtyre dy institucioneve u zotuan për mbështetje financiare të këtij plani nëpërmjet FFK-së, i cili parasheh përmbylljen e renovimit të stadiumeve aktuale dhe ndërtimin e stadiumeve të reja me standardet e UEFA-s.”

Mbetet të shihet në vijim se a do të realizohen planet e paraqitura sot nga institucionet përkatëse.


 
Të gjitha lajmet nga