Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LLAPI - TREPPÇA '89

4 gola në Podujevë, pikët ndahen

Foto: Shpend Ahmeti

4 gola në Podujevë, pikët ndahen


20 August, 2022 @19:07

Një ndeshje mjaft e mirë u zhvillua sot në Podujevë mes Llapit e Trepçës ‘89.

Në një fushë tejet të mirëmbajtur, ndeshja mes skuadrave në fjalë në fund u mbyll 2-2 (Adem Maliqi 26’, Fatmir Rexhaj (AG) 89’ / Albion Pllana 74’ 81’).

Falë një goli të shënuar nga Adem Maliqi në minutën e 26’, Llapi shkoi në pushim mes pjesëve me epërsi 1-0.

TABELA AKTUALE

Ndërkohë, spektakli ishte ruajtur për pjesën e dytë, e cila ishte tejet dinamike dhe interesante, sidomos pas minutës së 70’.

Nga minuta e 70’ e deri në fund, Llapi luajti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Benjamin Eminit, e superioriteti numerik i dha “zemër” mitrovicasve, të cilët shpeshtuan sulmet dhe e gjetën golin e barazimit e më vonë edhe atë të epërsisë së përkohshme.

Barazimi erdhi në minutën e 74’, kur zëvendësuesi Albion Pllana shënoi me kokë për 1-1. I njëjti lojtar e gjeti edhe golin e dytë në minutën e 81’, për t’ia dhënë skuadrës së tij epërsinë.

Për fatin e keq të mitrovicasve, Llapi nuk u dorëzua dhe luftoi për ta gjetur golin e barazimit. Barazimi erdhi falë një autogoli të Fatmir Rexhajt (89’) të mysafirëve dhe kështu ndeshja u mbyll pa fitues.

Vlen të përmendet që në minutat shtesë të ndeshjes, Trepça ‘89 shpërdoroi një mundësi të artë për shënim, për t’u detyruar kështu të pajtohet me vetëm një pikë nga ky takim.

Xhiron e tretë, Llapi i shkon Dukagjinit në Klinë, kurse Trepça ‘89 e pret Ballkanin.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga