Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

12 March, 2021 @18:00

Midis dy mesjavëve me ndeshje të garave evropiane, kjo fundjavë në ligat evropiane vjen me mjaft ndeshje interesante.

Cilat janë 5 ndeshjet që duhen shikuar?

1. Leeds vs. Chelsea (e shtunë, 13:30)

Që nga ardhja e Thomas Tuchel, Chelsea nuk di për humbje në asnjë garë. Gjatë kësaj ecurie fantastike, londinezët kaluan me sukses edhe teste të mëdha si Spurs, Atletico Madrid, Mancheste United, Liverpool e Everton, ndërsa këtë të shtunë kanë punë me Leedsin e Marcelo Bielsas.

Në 5 ndeshjet e fundit në ligë, Leedsi ka 4 humbje e 1 fitore, por që futbolli i shikueshëm nuk ka munguar në asnjërën prej këtyre ndeshjeve. Vazhdimësia në rezultate mbetet problem që nga fillimi i sezonit, por qasja e Bielsas nuk ndyshon.

Ndeshja ndaj Chelsea duhet të jetë interesante!

2. Getafe vs. Atletico Madrid (e shtunë, 21:00)

A do ta mund ta përballojë Atletico presionin në pjesën e mbetur të sezonit dhe ta fitojë titullin në Spanjë?

Para një muaji, gara dukej më e mbyllur, por së fundi kanë ndryshuar shumë gjëra dhe Reali e Barcelona janë afruar ndjeshëm.

Fitorja në mesjavë në ndeshjen e mbetur ndaj Bilbaos dhe rikthimet e Gimenez dhe Herrerës nga lëndimet ishin një shtytje përpara për skuadrën e Simeones ditëve të fundit. Këtë të shtunë lideri i La Ligas do të përballet me Getafen, kundërshtarin lokal.

Ndeshja pritet të jetë mjaft e ngushtë dhe nuk pritet të dhurojë shumë gola, mirëpo do të jetë një prej ndeshjeve ku Atletico do të mund të “kollapsojë” nën presion. Kujtojmë që mesjavën që vjen e ka edhe takimin në Londër ndaj Chelseat, por të shtunën nuk e ka lluksin të pushojë ndonjë lojtar për atë takim.

Real Madridi ndeshjen e tij e zhvillon disa orë para Atleticos, dhe nëse Reali fiton, ndeshja Getafe vs. Atletico Madrid do të jetë edhe më e fortë. Barcelona më pas luan të hënën.

3. RB Leipzig vs. Eintracht Frankfurt (e diel, 15:30)

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, synim i Leipzigut për pjesën e mbetur të sezonit padyshim që do të jetë Bundesliga. Kanë mbetur edhe 14 xhiro deri në fund dhe momentalisht Leipzigu është vetëm 2 pikë larg Bayernit, duke qenë të vetmet skuadra në garë për titull sivjet.

Këtë të diel Leipzigu ka punë me Frankfurtin e papërshtatshëm, që po lufton për pozitat që dërgojnë në Champions.

Nëse fiton, për Leipzigun do të jetë fitorja e shtatë rresht në Bundesligë, ndërkohë që do të shpresojë edhe për ndonjë lëshim të Bayernit ndaj Werder Bremenit të Milot Rashicës të shtunën.

4.  Arsenal vs. Tottenham (e diel, 17:30)

Derbi i Londrës Veriore. Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve përkatëse në Europa League të enjten, garë që mund të jetë e vetmja rrugë e tyre për dalje në Evropë sezonin tjetër.

Ringjallja e Bale e ka bërë Tottenhamin më të shikueshëm së fundi, kurse Arsenali mbetet edhe më tutje pa vazhdimësi në rezultate e paraqitje.

Si gjithë të tjerat, edhe kjo ndeshje do të ishte më e bukur sikur të kishte shikues, sidomos kur dihet rivaliteti mes tyre në Londër.

5. AC Milan vs. Napoli (e diel, 20:45)

Përkundër mungesave, Milani i Piolit gjatë 6 ditëve të fundit zhvilloi dy paraqitje shumë të mira ndaj Veronës dhe Manchester Unitedit, të dyja në udhëtim.

Të dielen kuqezinjtë në shtëpi e presin Napolin e Amir Rrahmanit e Elseid Hysajt dhe ndeshja pritet të jetë interesante.

Nuk besoj që ky Milan ka fuqi ta rivalizojë deri në fund Interin për titull, mirëpo ky sezon fantastik shpresojmë të kurorëzohet të paktën me rikthim në Champions League pas një kohe shumë të gjatë. Për një pozitë që dërgon në Champions sivjet po lufton edhe Napoli.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League