LLAPI - ARBËRIA
7 gola në Podujevë, fitues del Llapi!
21 March, 2021 @15:09
Një ndeshje që dhuroi plot 7 gola u zhvillua sot në Podujevë!
Në fund, triumfuese doli skuadra e Llapit, që ndeshjen e mbylli me fitore 4-3 (Kreshnik Bahtiri 3’ 19’ (2AG), Muhamet Hyseni 52’, Ahmed Januzi 86’ / Marclei Santos 14’ 59’, Dior Zabërgja 88’).
Kjo ditë ishte shumë e pafat për Kreshnik Bahtirin e Arbërisë, i cili sot shënoi dy herë në portën e gabuar.
Fillimisht ai ia dha epërsinë Llapit, duke shënuar autogol në minutën e 3’, e më pas pasi Marclei Santos e barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 14’ pas një akcioni fantastik, Kreshnik Bahtiri shënoi përsëri autogol në minutën e 19’, dhe kështu Llapi kaloi në epërsi 2-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, fillimisht Muhamet Hyseni i podujevasve e ngriti epërsinë vendase në 3-1, duke shënuar pas asistimit nga Ahmed Januzi në formë, mirëpo shpejt për 3-2 shënoi Marclei Santos i skuadrës nga Dobraja, dhe ndeshja u ngushtua përsëri.
Por, kjo nuk ishte e tëra. Kjo ndeshje dhuroi edhe dy gola!
Rezultatin në 4-2 e çoi Ahmed Januzi, i asistuar nga Valmir Veliu, rreth 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, kurse rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vulosi Dior Zabërgja, i cili i asistuar nga Agron Llugiqi, shënoi për përfundimtaren 4-3.
Kjo fitore është një hap i madh i Llapit në luftën për shpëtim, kurse Arbëria vazhdon ta rrezikojë rënien.