DEBUTIM ME HUMBJE PËR TRAJNERIN E RI TË DRITËS

Foto: FCTrepca89/ fb
‘89-shi ia prish debutimin Thaqit te Drita
12 February, 2023 @16:45
Trajneri i ri i Dritës, Arsim Thaqi, ka nisur me humbje detyrën e tij të re te ekipi gjilanas, derisa Armend Gashi gjatë një akcioni me karambol të Trepçës’89 ka shutuar për të shënuar!
Ky gol, ka qenë i mjaftueshëm për ekipin e Shpëtim Idrizit për të gjunjëzuar nënkampionen e Superligës dhe lideren e stinorit vjeshtor, derisa mitrovicasit morrën fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në luftë për mbijetesë duke fituar në fund, Trepça’89 1-0 Drita [Armend Gashi 13’].
Pas golit të pësuar Drita përkundër se pati disa raste (Blend Baftiu, shtyllë 49’, Hamdi Namani, jashtë kornizës 39’) nuk arriti assesi të kalojë pas Bardhyl Kaçiut dhe kështu misioni i trajnerit të ri të ekipit nisi me humbje si dhe me humbjen e lidershipit në renditje, pasi që Ballkani fitoi duelin e tij dje.
Me fitore, Trepça’89 ka shënuar triumfin e pestë sezonal ndërsa ka dalë në pozitën e shtatë me 22 pikë. Drita humbi lidershipin në renditje dhe tash është 3 pikë larg Ballkanit lider, pasi që ka 38 pikë, ndërsa ka pësuar humbjen e tretë sezonale sot.
Për të mos harruar, Trepça’89 përkujtoi sot edhe njëherë futbollistin e ri të tyre që ndërroi jetë gjatë ndeshjes së ekipit kadet, Erion Kajtazi, ndërsa penisionoi numrin 15 në kujtim të tij - edhe te seniorët.