Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA ZGJEDHJEVE

Arrestohet kreu i FFK-së

Arrestohet kreu i FFK-së


17 March, 2022 @10:47

Pas një deklarate të dhënë nga punonjësi i FFK-së, Artan Govori, mbrëmë Policia e Kosovës ka arrestuar kreun e FFK-së, Agim Ademi.

Kështu kanë bërë të ditura mediat në Kosovë në orët e vona mbrëmë, derisa rasti është inicuar si sulm fizik, thuhet më tej aty. Sot edhe PK ka konfirmuar arrestimin.

Kjo nuk është hera e parë që Agim Ademi përballet me akuza të sulmit ndaj zyrtarëve të FFK-së.

Ngjarjet që po ndodhin vijnë në një kohë kur FFK po bën përgatitjet për zgjedhjet për kryetarin që do të merr mandatin e radhës, ndërsa pos Ademit deri tash vetëm edhe Gramoz Vokrri, kanë bërë kandidaturën zyrtare, edhe pse nëpër TV të ndryshme janë lakuar emra të ndryshëm për këtë post.

Javë më parë, edhe ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, kishte bërë “mal” akuzash në drejtim të Ademit në një intervistë të tij dhënë në KTV, në emisionin sportiv aty.

Në anën tjetër, FFK-ja vetëm brenda këtij muaji ka dalë tri herë me mohim të atyre që u thanë në disa media.

Së pari me një “Sqarim rreth dezinformatave të qëllimshme në lidhje me Kuvendin e rregullt zgjedhor të FFK-së” ku është bërë e ditur se:

“Të apostrofuarit në media me qëllim dezinformojnë publikun se kinse afati 30 ditor është vetëm për Kuvend të jashtëzakonshëm, por kjo nuk qëndron. Po ashtu, thirrja e tyre në afatin 2 mujor nuk ka të bëjë me thirrjen e Kuvendit por me afatin kur mund të propozohen kandidatët për kryetar konform nenit 39.3 të Statutit të FFK-së. Në afatin e paraparë në Statut dhe Rregullore të Punës do të njoftohen edhe delegatët në lidhje me kohën dhe rendin e ditës. Po ashtu, në afatin e paraparë do të informohen edhe organet e FIFA-së dhe UEFA-së për këtë kuvend. Gjithmonë do të jemi në shërbim të informimit të drejtë të publikut dhe mediave, ndërsa ndaj atyre pak personave që shpifin do të adresohen te organet kompetente për shpifje,” — është thënë aty.

Më pas ka dalë me një njoftim të tipit, “Komiteti Ekzekutiv i FFK-së dënon presionet dhe shantazhet që po ju bëhen delegatëve dhe anëtarëve të FFK-së” ku thuhet:

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpreh mbështetje për të gjithë anëtarët dhe delegatët e FFK-së dhe ju kërkon që këto presione, shantazhe dhe forma të ndryshme të ndikimit, t’i raportojnë në organet përkatëse në FFK-së dhe organet shtetërore të Republikës së Kosovës, si Policia dhe Prokuroria”, — ka shkruar FFK-ja ndër të tjera.

E së fundi, ka dalë me një “Sqarim i FFK-së” për të mohuar edhe zyrtarin Artan Govori, ku është thënë:

“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin lidhur me raportimet e mediave për kinse sulm fizik të presidentit Agim Ademi ndaj njërit prej punëtorëve të administratës, Artan Govori brenda selisë së FFK-së. FFK edhe njëherë shpreh indinjatën e saj dhe detyrohet të përgënjeshtrojë raportimet e tilla të pavërteta. Në selinë e FFK-së nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, siç raportohet në media, por thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës. Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat. Raportimet e tilla janë në vazhdën e inskenimeve, presioneve e shantazheve që po bëhen nga persona që nuk kanë aspak të bëjnë me futbollin dhe që synojnë që nëpërmjet formave të tilla të vijnë deri te kapja e këtij institucioni. Sidoqoftë, FFK si institucion kredibil do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundër presioneve të tilla, me qëllimin e vetëm për progres të futbollit kosovar dhe që t’i mbajë larg këtij institucioni dhe larg futbollit njerëzit e grupeve të interesit”, — është shkruar në këtë sqarim.

Zgjedhjet për kreun e shtëpisë së futbollit të Kosovës janë paraparë të mbahen më 6 prill.

“Kjo që po them para kamerave, këto kanë ndodhur. E kam një lëndim në qafë që më ka shtrënguar, më ka gërvishtur pak këtu. Mendoj, nuk ka qenë ndonjë sulm ku ta dish se çfarë, por ka qenë mjaft për mua të duroj këtë lloj presioni, e sidomos sulmi i vogël fizik,” ka rrëfyer dje Govori në një bisedë me mediat, duke shtuar se ka treguar vetëm realitetin.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga