GAME 6: CAVS - CELTICS
Art në palestër, LeBron 46, Cavs barazon
26 May, 2018 @9:54
“Natyrisht, është ndjenjë e mirë të luash edhe një ndeshje. Gjithmonë kam thënë se ndeshja e shtatë është njëra ndër fjalët më të mira në sport. E për ne, të fitojmë aty ku s’ka fituar askush në PlayOff deri më tani, do të jetë një mundësi ku mund të kënaqemi,” ka thënë LeBron James pas ndeshjes së sotme.
“Nuk kam çka të kërkojë më shumë sesa edhe një mundësi për të luftuar për titull kampioni,” ka shtuar James.
Ai ka shënuar 46 pikë, 11 kërcime, 9 asistime në ndeshjen fito ose eliminohu. Gjithçka mund të shkruhet për LeBronin. Për shembull, për atë kjo ka qenë ndeshja e shtatë me 40+ pikë të shënuara në PlayOff.
Ose mund të shikoni videon se si kur të do i shënon çiftet e tresheve përballë Jayson Tatumit, natyrisht në sekondën e fundit të sulmit.
Cavaliers fitoi ndeshjen e gjashtë të serisë 109-99 për të çuar atë në ndeshjen e shtatë, vendimtare.
LeBron James ka qenë briliant në këtë përballje, ndërsa me këtë ka treguar se në ditën e tij, mund të fitojë lojën vetë. Krejt kjo, me 46 minuta qëndrim në parket, nga 48 minuta sa zgjat një ndeshje.
20 pikë tjera në ndeshje shënoi George Hill, ndërsa 14 të tjera Jeff Green. Por, rol të rëndësishëm luajti edhe Larry Nancy Jr, me 10 të shënuara.
Bostoni nuk ishte i dobët në këtë ndeshje. Keltët i patën rastet e veta. Terry Rozier shënoi 28, Jaylen Brown 27 e Jayson Tatum 15 pikë, por krejt këto nuk mjaftuan karshi një LeBroni të disponuar.
Në Boston, më 28 maj në ora 02:30 të mëngjesit - do të kuptohet fituesi i Konferencës Lindore dhe finalisti i finales së madhe të NBA.