LIRIA 5-2 BESA

Astrit Berisha duke festuar golin e katërt të Lirisë dhe hat-trickun e tij/ TOPSPORTI/ D. S.
Astrit Berisha hat-trick, Liria rikthen pozitën e dytë
9 April, 2022 @17:05
Pas dy xhirosh pa fitore, Liria i është kthyer fitores në Përparim Thaçi sot, duke e mposhtur skuadrën që po kërkon mbijetesën në Ligë të Parë, Besa.
Futbollistët e skuadrës prizrenase nuk e nisën mirë ndeshjen, ndërsa dy herë panë veten në disavantazh për tu këndellur plotësisht në pjesë të dytë dhe për të fituar ndeshjen 5-2 [Astrit Berisha 17, 80, 87, Fitim Susuri 37, Diellor Beseni 90 - Endrit Maloku 16, Erurent Krasniqi 31].
Derisa pjesa e parë u karakterizua me gola nga të dyja palët, ku pejanët e drejtuar nga Fisnik Papuqi shfrytëzuan maksimalisht gabimin e mbrojtjes dhe portierit të Lirisë, Liria me mund arriti të barazojë dy herë.
Super golit të Endrit Malokut nga distanca, kur shutoi bukur prej 25 metrash, iu përgjigj Astrit Berisha me kokë, që pranoi krosimin e Viktor Kukës, pasi që ky i fundit kishte bashkëvepruar në krah me Liridon Fetahajn.
Një gabim fatal në mbrojtje të Lirisë në komunikim me portierin jugafrikan hezitues Stewart Hawes, bëri që Erurent Krasniqi i gjindshëm të shënojë për rikthim të epërsisë së pejanëve, që u neutralizua më pas nga Fitim Susuri, për tu mbyllur pjesët.
E në pjesë të dytë Drilon Hodaj iu rikthye portës së bardhezinjëve, për të rikthyer stabilitetin në gol, ndërsa edhe Besa tentoi më tepër me kundërsulme në 45 minutëshin e dytë, derisa vendasit shkuan krejtësisht në sulm.
E i disponuari Viktor Kuka më pas gjeti edhe dy herë Astrit Berishën, që kreu lojën me hat-trick sot, ndërsa krejt në fund ka qenë mesfushori Diellor Beseni që ka goditur nga 17-metra në këndin e majtë të portierit tejet interesant të Besës, Altin Gjokaj.
Në pjesë të dytë lojë të mirë tregoi edhe zëvendësuesi Lorik Rudi, bashkë me Ermal Vitijën nga krahu i majtë, por gjithsesi të gjitha golat erdhën nga krahu i djathtë i Lirisë.
Liria që bëri dy gabime në proces të kampionatit në dy përballjet e fundit, hyri në lojë përsëri për barazh pas gabimit të Phoenixit në përballje ndaj lideres Trepça’89, ndërsa Besa që mori disa rezultate të mira në xhirot e fundit, ishte afër befasisë edhe sot, derisa rrodhën golat në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes për fitoren e thellë të prizrenasve.
Përndryshe, Liria me gola të shënuara qëndron mirë, ndërsa me gola të pranuara këtë stinor është ekipi më i dobët në Ligë të Parë Grupi A, pas Besës së fundit në renditje.