VUSHTRRIA - BALLKANI
Ballkani mposhtet, por pushon në krye
2 December, 2019 @14:59
Në ndeshjen e zhvilluar pa praninë e shikuesve dhe me Ismet Munishin e suspenduar, Ballkani është mposhtur me rezultat minimal 1-0 në “Ferki Aliu”.
Goli i vetëm i ndeshjes së luajtur në një terren jo edhe aq të përshtatshëm për lojë u shënua nga Bashkim Shala i vendasve, i cili në minutën e 33’ të ndeshjes u tregua i saktë nga pika e bardhë, për ta shënuar kështu golin që doli të ishte i vetmi i këtij takimi.
Në vazhdim të ndeshjes porta e Ballkanit u shpëtua disa herë nga portieri Ruxhi, përderisa në cepin tjetër të fushës suharekasit nuk u treguan edhe aq konkret në ndërtimin e akcioneve, për t’u detyruar kështu të pajtohen me humbje në xhiron e fundit të edicionit vjeshtor.
Për fat të mirë të Ballkanit, këtë xhiro gabuan edhe Gjilani, Prishtina e Drita, me ç‘rast Ballkani në pushimin dimëror shkon si lider i Superligës.
Sa i përket vushtrriasve, të cilët sot e mposhtën skuadrën e trajnerit që vite më parë iu fitoi titullin kampion, dimrin kjo skuadër e kalon në vendin e parafundit të Superligës, e në pranverë i pret shumë punë për shpëtim.